Një program për kulturën amerikane

02/05/2014 00:00

“America Talks”, ky është emisioni më i ri në ‘Top Albania Radio’, i
cili nis nga  data 2 maj deri më 4 korrik, në bashkëpunim me Ambasadën e
SHBA-ve në Tiranë, një ndër vetëm katër ambasada në botë, që ka
përfituar financim të posaçëm për të prodhuar një program edukativ dhe
kulturor për gjuhën angleze.

Çdo të premte ora 17:00 në valët e ‘Top Albania Radio’, nën drejtimin e Ledion Liços për 10 javë, së bashku me specialisten e gjuhës angleze, Danielle Capretti do të drejtojnë këtë program kulturor dhe edukativ intervistash, me një të ftuar të ndryshëm çdo javë.

Ambientet e ‘Top Albania Radio’ i ka vizituar Ambasadori Arvizu, i ftuari i parë në këtë program.
 
“Pikë së pari, ne jemi mirënjohës që kemi nje partner të besueshëm si ‘Top Albania Radio’ në këtë përpjekje. Anglishtja është një gjuhë universale dhe ne mendojmë se është diçka fantastike për të gjitha vendet dhe të gjithë njerëzit në botë, por për të qenë të sinqertë është edhe diçka që është në interesin e Shteteve të Bashkuara të nxisë përdorimin e anglishtes. Ajo, që ky program kërkon të bëjë është të jetë edukues. Siç e dëgjuat, tema e kësaj pjese ishte historia e emigrantit, se si emigrantët kanë qënë gjithnjë thelbi i Amerikës, por gjithashtu dhe rrugët e ndryshme për sukses. Unë u përpoqa të flas me sa më shumë shprehje idiomatike dhe metafora, pothuajse zhargonin që përdor normalisht një anglishtfolës dhe shpresojmë që kjo do të ndihmojë shqiptarët që flasin anglishten mjaft mirë, të perfeksionojnë dhe mprehin më tej aftësitë e tyre”, thotë Arvizu.

Temat e çdo jave do të variojnë, duke u përqendruar në aspekte te ndryshme të jetës në SHBA, si p.sh qeverisja, kultura e ushqimit apo diversiteti racor dhe fetar. Specialistja e gjuhës angleze do të hartojë programin paraprakisht dhe do t’u jape të ftuarve të intervistuar temën bazë të bashkëbisedimit, por duke u përqendruar në idioma dhe fjalor të dobishëm për ata shqiptarë që përpiqen të përmirësojnë shprehitë e tyre në gjuhën angleze, gjatë intervistimit të të ftuarve mbi bazën e temës së posaçme të asaj jave.
 
Për të tërhequr sa më shumë dëgjues në program, Ambasada do të administrojë një konkurs bazuar mbi përmbajtjen e programeve. Ambasada do ta vendosë audion e programit menjëherë pas transmetimit në YouTube. Një pyetje për përmbajten e secilit program do të postohet në faqet e Ambasadës në Facebook në një ditë dhe orë të pacaktuar dhe do të fitojë personi i parë që i përgjigjet saktë pyetjes, duke fituar një iPod.
 

Top Channel