Marrëdhëniet polici-komunitet

02/05/2014 00:00

Nga një sondazh i financuar nga qeveria suedeze mbi raportet mes policisë dhe qytetarëve, doli se 98% e punonjësve të policisë mendojnë se kanë marrëdhënie të mira me komunitetin që i shërben, ndërsa 85% e publikut të anketuar tregojnë se nuk janë konsultuar në ndonjë farë mënyre në lidhje me shqetësimet që interesojnë komunitetin e tyre apo informuar për punën e policisë.

Elona Gjebrea, zv/ministre e Brendshme, tha: “Është një vlerë e shtuar në reformën që ne kemi ndërmarrë. Në vazhdën e këtij kontributi tepër të rëndësishëm për Policinë e Shtetit, vjen edhe ky vlerësim që tregon perceptimin dhe trendin e përvojave të qytetarëve për policinë në vend përmes një fotografimi real të situatës.”

Ndërsa Artan Didi, drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, deklaroi: “Takimi i sotëm përbën një rast të veçantë dhe njëkohësisht një risi për marrëdhëniet e policisë me shoqërinë në përgjithësi. Kjo për arsye se është një takim ku policia nuk do të prezantojë veten nëpërmjet perceptimit që ajo ka për veten e saj, por do të shohim si ajo perceptohet nga qytetarët.”

Sondazhi i kryer ka rekomanduar për zhvillimin e një strategjie të plotë dhe të mirëfilltë për policimin në komunitet, e mbështetur nga një plan veprimi konkret.
Sondazhi tregon për një përqindje të ulët të mbështetjes që policia merr nga komuniteti gjatë ndërhyrjeve. Vetëm në 5% të rasteve policia merr bashkëpunim.

Top Channel