1 Maji, Rama uron nga panairi i punës

01/05/2014 00:00

Në ditën e 1 Majit, Kryeministri Edi Rama vizitoi panarin e punës në
Tiranë. Sipërmarrësit, që dikur kanë qenë emigrantë, ankohen për të
rinjtë, që sipas tyre shpesh refuzojne punen e ofruar.

“Kërkojmë si sipërmarrje që të na dëgjojë tregu i punës, se ia japim mundësitë edhe fillestarëve, të investojmë 6-9 muaj trajnim. Ne qe kthehemi nga emigracioni me këtë eksperiencë gjejmë nga rinia sot një heshtje, dhe kur vijnë për punë kërkojnë paga si në Gjermani, por nuk e kanë idenë se çfarë kemi bërë ne shqiptarët si emigrantë jashtë”, thotë një sipërmarrës.

Edi Rama gjatë vizitës në panairin e punës u njoh me mendimet e sipërmarrësve të ndryshëm. Qeveria ka ndërtuar mekanizma për ta vënë në lëvizje Fondin e Punësimit, theksoi Rama në mënyrë që të mos mbetemi tek fasha e parë, e vendeve të punës që krijohen përmes fondit, por të hapim edhe një sërë shtigjesh të reja që të shumëfishojmë mundësitë për punësim.

“Gëzuar 1 Majin! Sot është e enjte dhe normalisht jam shumë i lumtur që e enjtja përkoi me 1 Majin dhe në vend se të humbnim kohë në Parlament, jemi këtu për të folur për punën dhe për punësimin. Më vjen keq që delegacioni i SHQUP-it është spostuar nga Parlamenti në Pallat të Kongreseve dhe po humbet kohë, në vend që të përfshihet në programet e punësimit. Këtu në këtë hapësirë ofrohen 6200 vende pune dhe ftova delegacionin që e pashë aty përpara që të vijnë dhe të përpiqen të aplikojnë për punë dhe dëgjova një zonjë që tha, ‘ne jemi intelektualë’. Atëherë unë besoj se 100 vende pune që ofrohen këtu nga sektori bankar, janë për intelektualët, nuk janë për fshesarët. Ky panair është dhe një gur themeli për një ndryshim në kulturën e marrëdhënieve mes punëdhënësësve dhe punëkërkuesve”, tha Rama.

Erion Veliaj, ministër i Mirëqënies Sociale shpjegoi disa programe për nxitjen e punësimit.

“Fondi i Punësimit, jo vetëm që nuk shpenzohet më për koncerte dhe për pikniqe, si ato të 1 Majit të kaluar, por sot Fondi i Punësimit edhe në ditën më të vështirë të ekonomisë tonë, është trefishuar. Kemi rritur me 300 për qind, duke e çuar në 2.7 milionë dollarë. Nga ky fond punësimi, ne do të shpenzojmë 70 për qind të fondit, për të nxitur punësimin e të rinjve shqiptarë dhe në pjesën më të madhe punësimin e grave dhe të vajzave në Shqipëri. Për çdo të ri që do të punësohet nga ky Fond i Punësimit, ne do të paguajmë katër muaj pagat e tyre dhe 12 muaj sigurimet shoqërore të plota. Ky është programi ynë i parë. Programi i dytë që lancojmë do të jetë për nxitjen e punësimit, punëkërkueseve të papuna, gra dhe vajza. Edhe ky program, për çdo grua dhe vajzë që punësohet ka të siguruar 4 paga, dhe të 12 muajt e plota të sigurimeve shoqërore”, tha Veliaj.

Të shkarkuarit nga administrata protestojnë

1 Maji, Dita e Punëtorëve është shfrytëzuar nga një grup grash, të cilat thonin se janë larguar së fundmi nga puna për të protestuar.

Gruaja: Pse më hoqën nga puna, me cfarë do të paguaj dritat, me cfarë do të ha unë?

Rama: Ka 6200 vende pune. Futuni dhe shihni që ka një ofertë për inxhinere mekanike

Gruaja: Isha në profilin tim, në këtë moshë nuk më merr mua njeri në punë

Zonjes qe protestonte, ministri Veliaj i ofroi pikerisht kete panair per te gjetur pune.

Gruaja: Me 29 mars më kanë hequr nga puna

Veliaj: Je gati për punë? Ne profilin tend. Me jep doren dhe bashke te shkojme te aplikojme per pune.

Gruaja: Unë nuk punoj në ato punë ordinere, isha në punën time

PD: Panari, parada e 1 Majit     

Opozita ironizoi panairin e punes, duke e cilesuar ate njesoj si paradat komunizmit per 1 Majin. Deputetja e Partise Demokratike, Majlinda Bregu akuzoi Garden se ushtroi dhune ndaj grave protestuesve, te cilat ishin tubuar para panairit, ku ishte Kryeministri për të reaguar kundër largimit nga puna.

“Sot në ditën e punës, qytetarët shqiptarë janë dhunuar sërish nga Edi Rama.U dhunuan jo vetëm gratë që u nxorën me forcën e gardës nga aktiviteti qeveritar sepse prishën humorin e shefit, por u dhunuan të gjithë të papunët nga një propagandë tallëse e fyese deri në kockë, e një kryeministri që refuzon të dëgjojë e të shohë se çfarë po ndodh në realitet.Në realitet, çdo ditë, burra e gra, të rinj e të reja, profesionistë të fushave, po humbin vendin e punës.Panairi i Ramës është një penel që nuk e zbukuron dot realitetin e zymtë të keqqeverisjes dhe paaftësisë së tij.  Panairi i Ramës, nuk i mbulon dot të gjitha kotësitë e kësaj qeverie. Panairi i Ramës është veçse tallje oligarkësh që ju intereson vetëm pushteti i tyre”, tha Bregu.

Top Channel