Miratohet buxheti i kryeqytetit

30/04/2014 00:00

Në orët e vona të mbrëmjes Këshilli Bashkiak i Tiranës ka votuar buxhetin e ri për kryeqytetin. Ky projekt ishte kthyer më parë nga prefekti dhe sot ai u miratua me 29 vota të mazhorancës së majtë.

Në buxhet parashikohen shpenzime për  shpronësim të pronarëve ku do të kalojë bulevardi i ri i Tiranës.

Sipas pretendimeve vlera prej afro 580 milion lekë është e pamjaftueshme për kompensimin e tyre. Opozita e djathtë ka propozuar që t’i jepej kohë Bashkisë për të rishikuar zërin e shpronësimeve dhe për të bërë rikalkulime sipas zërave, por kjo nuk është pranuar nga mazhoranca.

Pas katër orë debat, vetëm me vota të mazhorancës u miratua buxheti i Tiranës, ndërkohë që opozita nuk mori pjesë në votim.

Ne mbledhjen e radhës në Këshillin Bashkiak u miratua dhe dhënia me qira e 385 banesave sociale në Shkozë, qira të cilat fillojnë minimalisht me 39 mijë lekë të vjetra për hapësira dhomë-kuzhinë deri  në 186 mijë lekë të vjetra për ambiente 3+1.

Top Channel