Konkursi i 3-të i Fondacionit “Dritan Hoxha”

30/04/2014 00:00

Fondacioni Mediatik “Dritan Hoxha” hap konkursin e III mediatik për të rinjtë e talentuar që aspirojnë në fushën e medias. Konkursi ka për qëllim nxitjen e gazetarisë cilësore përmes promovimit të punës së gazetarëve të rinj, si dhe të formave të reja të raportimit në media.

Të gjithë personat e interesuar, studentë dhe jo studentë mund të aplikojnë duke paraqitur punën e tyre në zhanret artikull për shtypin e shkruar, raportim multimedial për gazetarinë në web dhe video sociale. Aplikantët duhet të dërgojnë punën e tyre në adresen [email protected] deri në datën 13 maj, ku përpos të dhënave të kërkuara të kenë bashkangjitur 1)shkrimin për shtypin e shkruar në word, 2) linkun për raportimin multimedial dhe 3) linkun e videos së publikuar në Youtube.

Për të folur më gjërësisht për këtë konkurs, në studion e Pasdites në Top Channel ishte e ftuar Vjollca Dako, Drejtorja e Fondacionit Mediatik “Dritan Hoxha”, Mentor Kikia, Kryeredaktor i Top Channel dhe Rrapo Zguri, pedagog i Gazetarisë në Universitetin e Tiranës.

“Synimi dhe puna e Fondacionit “Dritan Hoxha” është gjetja e mekanizmave që inkurajon të rinjtë për t’u përfshirë në këto lloj konkurseve. Pas konsultave me kolegë dhe gazetarë ne arritëm në këtë formulë për vitin e tretë të konkursit, duke vendosur edhe multimedian sepse në kushtet e zhvillimit kaq të madh të teknologjisë, ku cdokush përcjell informacionin në kohë reale, përpiqemi të gjejmë mekanizmat, të bashkojmë aktorët dhe faktorët për një qëllim të përbashkët”, deklaroi Drejtorja e Fondacionit “Dritan Hoxha”, Vjollca Dako.

“Gazetaria e shkruar, në kushtet e një shpërthimi të alternativave mediatike, media e shkruar është në minorancë, kur një një video e filmuar rastësisht, apo e kompozuar mund të flasë sa për një mijë artikuj. Ndaj vendosëm që të pranojmë videot sociale. Por cfarë quajmë video sociale? Quhen video sociale të gjitha ato video që kanë një impakt social. Nuk është e nevojshme që të kemi një filmim profesionist, por edhe një filmim amator, një video të filmuar me celular që tregon nisma, që tregon një fenomen dhe duhet të kihet parasysh që videot duhet të jenë sociale promovuese të vlerave sociale ose denoncuese të fenomeneve negative të shoqërisë”, shtoi kryeredaktori i Top Channel, Mentor Kikia.

“Kemi më shumë se sa një medium të përdorur për një ngjarje. Që do të thotë që do të përdoret edhe teksti, edhe video, mund të përdoren edhe animimet. Ky është një raportim multimedial, në format e tij të thjeshta. Studentët e gazetarisë e kanë pjesë të programit këtë dhe një pjesë kanë shprehur dëshirën për të marrë pjesë dhe janë të interesuar për të qenë në konkurs”, shtoi profesor Rrapo Zguri.

Top Channel