Reformimi i skemës së pensioneve

29/04/2014 00:00

Qeveria prezantoi “Dokumentin e politikave të pensioneve”, hartuar me
ndihmën e Bankës Botërore, përmes të cilit, siç tha drejtoresha e
Përgjithshme e ISSH-së, Vjollca Braho, synohet reformimi sistemit, si
një domosdoshmeri për të patur një sistem të qëndrueshëm. 

Ekspertja e Bankës Botërore, Anita M.Schwarz tha se “ndryshimet e paspecifikuara në legjislacionin aktual, kanë tendencë për të rritur kostot dhe pasigurinë për punëtorët dhe pensionistët”.

Koha për ta reformuar sistemin e pensioneve, deklaroi Kryeministri Edi Rama, ka kohë që ka ardhur, pasi sistemi aktual u përshkrua prej kreut të Qeverisë, si një gropë ku rrezikon të bjerë e gjithë Shqipëria nëse nuk reformohet.

“Të ardhurat nga kontributet, i referohem vitit 2013, janë rreth 51 miliardë lekë, ose 510 milionë dollarë, ndërsa shpenzimet janë 95.6 miliardë lekë ose 950 milionë dollarë. Kjo do të thotë se midis kontributeve dhe pensioneve, kemi një gropë të përvitshme, tek 2013, 430 milionë dollarë. Duhet ta kishin bërë kohë përpara ata që ishin deri dje në emër të të djathtës në Qeveri dhe e bëjmë ne, në emër të forcës progresiste që përfaqësojmë. Eshtë një reformë e drejtë, është një reformë solidare dhe është një reformë, si çdo reformë e vërtetë, që një Qeveri e bën jo për vetë, as për të marrë votat e vitit të ardhshëm apo e dy viteve më vonë, por e bën për gjeneratën tjetër”, tha Rama.

Erion Veliaj, ministër për Mirëqenien Sociale, me detaje shpjegoi se cfarë përmbajnë variantet e propozuara në këtë dokument.

“Duhet ta titullojmë, në fakt një projekt, të rritjes së pensioneve në Shqipëri. Pensionet do të jenë, pensioni social plus shtesat, që janë në fakt të bazuara totalisht tek kontributet. Çfarë është pensioni social? Futja e konceptit të pensionit social, është në fakt baza për ata që nuk kanë kontribuar fare, ose për ata që kanë kontribuar dhe që si bazë nisje do të kenë pensionin social, plus të gjithë shumën e kontributin e tyre. Pensioni social është i barabartë me 15/35-at e pensionit minimal.Duke hequr pensionin tavan, ne mundësojmë të fusim konceptin e progresivitetit. Kush kontribuon pak, ka një pension më të ulët, por kush kontribuon shumë ka një pension më të lartë”, tha Veliaj.

Ky ishte shpjegimi ministrit Veliaj për ndryshimet në moshën e pensionit. “Gratë në Shqipëri kanë një avantash 16 -vjeçar me burrat, kur vjen puna tek çështja e pensioneve. Për një grua që do të dilte në pension në një 1 janar të vitit 2015, do të dalë në pension në 28 shkurt. Pra, sakrifica është e vogël, që askush mos ta ndjejë barrën e kësaj reforme, por është mjaftueshëm e madhe, sepse e shpërndarë në qindra dhe mijëra njerëz na jep efektin pozitiv të rritjes së moshës. Deri në vitin 2032, mosha do të rritet vetëm me dy muaj në vit për gratë, ndërkohë që për burrat nuk do të rritet, dhe rritja fillon për burrat vetëm në vitin 2032”.

Dokumenti i Politikave të Pensioneve fillimisht do të diskutohet me grupet e interesit e më pas do të kalojë në procedurat parmalamentare.

Top Channel