Qeveria e Kosovës ka miratuar një pako të re të taksave për bizneset e reja, të cilat pritet të hapin edhe më shumë vende pune. Çdo biznes, që investon nga 2 deri në 10 milionë euro në Kosovë, do të lirohet nga tatimet për 3 deri në 7 vjet.

“Kemi të bëjmë me vende të reja pune. Vendim, i cili nënkupton që çdo investim, i cili krijon 30 vende pune dhe do të shkojë deri në 2 milionë euro investim, do të lirohet për tre vite nga tatimi në koorporata, por do të lirohet njëkohësisht edhe nga tatimi në vlerën e shtuar, në vlerën e bërë në atë kohë”, tha Besim Beqaj, ministër i Financave.

Sipas ministrit Beqaj, ky vendim i Qeverisë do të pasojë ndryshimin e ligjit mbi TVSH-në, ndërsa do të nxisë hapjen e bizneseve të reja me kapital të huaj, por edhe vendor.

Po ashtu, bizneset e reja që do të investojnë prej 2 deri në 5 milionë euro, sipas vendimit të Qeverisë do të lirohen nga tatimi në koorporata, si dhe nga tatimi në vlerën e shtuar.

Bizneset e reja, që do të investojnë mbi 10 milionë euro dhe që do të punësojnë 150 punonjës, do të lirohen nga taksat e koorporatave dhe TVSH-ja deri në 7 vite.

Qeveria, po ashtu, ka miratuar nxjerrjen e një udhëzimi administrativ për heqjen e taksave doganore për lëndët e para dhe pajisjeve.

“Procedura e re është se Qeveria do të vendosë për heqjen e taksës në doganë, për lëndë të parë dhe për pajisje. Për këtë vendim do të informojmë më pas edhe Kuvendin, dhe këtu përmbyllet si cikël. Kjo është bërë me qëllim, që ne të jemi më të shpejtë në reagim, në kërkesat e biznesit, kur kemi të bëjmë me produkte të reja, me iniciativa të reja, të cilat nuk mundësojnë që të presin 6 muaj apo 1 vit, deri sa do të bëhej kjo përmes ligjit të rregullt”, tha Besim Beqaj, ministër i Financave.

Në mbledhjen e saj, Qeveria ka miratuar edhe kornizën afatmesme të shpenzimeve, si dhe vendimin për pagesat e punonjësve të Fabrikës së Gypave në Ferizaj.

Top Channel