LIVE/ Zgjedhjet në Korçë përplasin grupet brenda PD-së, ndërpritet votimi 2 herë. Berisha replika sërish me Salianjin: Bravo Mereme Selës, por…

03/05/2026 13:57

Në prag të rikonfirmimit në krye të demokratëve për katër vjet te tjera, në 23 maj, Sali Berisha do të duhet fillimisht të menaxhojë pakënaqësitë që vijnë nga degët.

Zgjedhjet e sotme në Korçë janë shoqëruar mes përplasjeve të anëtarëve, marrjen e kutive nga komisionerët dhe në fund grisjen e listave të votuesve.

Shkak është bërë mungesa e emrave të disa prej anëtarëve në këto lista. Nga ana e tij Berisha ka qenë sot në Dibër ku ka replikuar sërish me Ervin Salianjin, ish-deputetin e tij të cilin e përjashtoi nga kandidimi për kreun e PD.

Përditësimet LIVE

14:13 “Nuk po biem dot dakord me drejtuesin politik të qarkut”, deputeti Fidel Kreka: Demokratët s’kanë emrin në lista, jemi drejt shtyrjes së procesit

Deputeti demokrat Fidel Kreka ka reaguar pas problemeve në procesin e zgjedhjeve për kryetarin e degës së PD në Korçë, i cili është ndërprerë dy herë ditën e sotme. Ai tha se nuk pop bien dakord me drejtuesin politik të qarkut, Ivi Kaso për listat e votuesve. Ndërkohë shpreh se të demokratët që nuk e kanë emrin në lista, duhet të votojnë sepse janë anëtarë të partisë që njihen shumë mirë edhe nga komisionerët. Në përfundim ai tha se janë drejt shtyrjes së procesit.

13:20 Ndërpriten për të dytën herë zgjedhjet e PD-së në Korçë, pretendohet se listat e votuesve janë grisur, tensioneve mes votuesve dhe komisionerëve

Zgjedhjet për kreun e degës së PD në Korçë janë ndërprerë sërish. Korrespondentja e Top Channel në Korçë, Dhorjela Çule, bën me dije se procesi i votimit është ndërprerë sërish për shkak të listave të votuesve pasi disa prej votuesve nuk gjejnë dot emrat. Ndërkohë ka edhe pretendime që listat e votuesve janë grisur.

13:02 “E faktuar që Berisha është i lidhur me krimin e organizuar”, Salianji i përgjigjet kreut të PD me dokumentin e gjykatës britanike: E kanë refuzuar edhe ndërkombëtarët

Nuk ka vonuar përgjigjja e Ervin Salianjit pas deklaratave dhe sulmeve të bëra sot në Dibër nga Sali Berisha. Ndërsa Berisha tha se Salianji s’merr dot pjesë në garën për kreun e PD sepse nuk është pjesë e PD, ish-deputeti shprehet se arsyeja e vërtetë është se ai ka frikë nga gara pasi e di se demokratët e kanë braktisur.

12:29 “Bravo që garoi, por 43 vota mori”, Berisha klasifikon Meremen të vetmen kandidate ‘jo të Ramës’: S’plotësonte kriteret, do e bënte garën qesharake

Zgjedhjet për kreun e PD do të jenë me një kandidat të vetëm, Sali Berishën. Për këtë, gjatë takimit sot me demokratët në Dibër, Berisha e argumentoi me faktin se garë ka, por kandidatët nuk përmbushin kriteret. Ai zgjodhi që të flasë vetëm për kandidaturën e mjekes Merema Sela, pasi sipas tij kandidaturat e tjera nuk ishin fare pjesë e PD.

12:04 “Salianji hante dreka darka me ata që unë i godisja më shumë”, Berisha sulmon kundërshtarët brenda PD: Rama e kapi për fyti Bashën, kishte dy dosje

Para demokratëve ai sërish tregoi “rrugëtimin e vetëpërjashtimit” siç e quan ai të Salianjit nga PD, duke kujtuar historitë që nga fillimi i burgosjes së tij, si i dënuar politik, e te “drekat e darkat me njerëzit që sulmoja më shumë”, thotë Berisha.

11:11 Pezullimi i zgjedhjeve për kreun e degës së PD në Korçë/ Kaso: Kanë tentuar të votojnë persona që nuk janë në lista. Kandidati: S’mund të përjashtojmë asnjë demokrat

Për ndërprerjen e zgjedhjeve për kreun e degës së PD-së në Korçë ka reaguar dhe drejtuesi politik i qarkut, Ivi Kaso si dhe një nga kandidatët.

Top Channel