Deputetët, llogari Fullanit për emërimet

29/04/2014 00:00

Për herë të parë guvernatorit, Ardian Fullani i është dashur të
përgjigjet para Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, për një çështje të
shumëdebatuar në publik.

Atë që lidhet me shpenzimet e larta për paga e dieta në Bankën e Shqipërisë, të konstatuara nga KLSH-ja, si jashtë realitetit shqiptar.

“Ruajtja e një niveli të përshtatshëm të pagës bazë, është një nga instrumentat që aplikohet në institucionin tonë dhe bankave të tjera qendrore, për motivimin, nxitjen dhe ruajtjen e performancës së kërkuar, kërkesës së llogarisë.Çdo dobësim, apo cënim i pavarësisë financiare të institucionit të Bankës së Shqipërisë, që nënkupton edhe kompetencën e pavarur për të caktuar shpenzimet, kompensimet financiare, paga dhe shpërblimet për punonjësit dhe personelit drejtues të saj, do të përbënte të pavarësisë institucionale të Bankës së Shqipërisë, referuar edhe standardeve ndërkombëtare”, tha Fullani.

“‘Nga ana tjetër konstatojmë, – thotë Kontrolli i Lartë i Shtetit,- mosrespektim të ndjeshmërisë së qytetarëve në lidhje me përdorimin e fondeve në dispozicion. Kjo referuar niveleve shumë të larta të pagesave, për nivelet drejtuese, si paga dhe shpërblime të ndryshme  të trajtimeve dhe dieta’, krahasuar me nivelin e pagës së punonjesve në institucione kushtetuese, jo për pjesën e administratës”, tha kryetari i Komisionit, Erjon Braçe.

Komisioni ka kërkuar sqarime edhe për rekrutimet në Bankën Qëndrore, të cilat janë përfolur jo rrallë herë në media për nepotizëm, e madje edhe si instrument favoresh ndaj politikanëve. Por guvernatori i ka mohuar akuzat.

“Përsa i përket listave të publikuara, në disa media, në to ka shumë pasaktësi. Janë cituar emra individësh, që nuk punojnë në Bankën e Shqipërisë, ndërkohë që një pjesë e mirë e punonjësve të cituar në lista, nuk janë punësuar së fundmi, por kanë mbi 10 vjet punë në Bankën e Shqipërisë. Ka shumë pasaktësi dhe kakofoni brenda. Banka e Shqipërisë ka një staf mjaft të kualifikuar. Personeli i Bankës ka një formim të thellë akademik, brenda apo jashtë vendit, si edhe eksperiencë punë të vlefshme për të punuar në Bankë”, tha Fullani.

“Nuk bëhet fjalë për cilësinë e stafit në total të Bankës së Shqipërisë. Bëhet fjalë për një grup të vogël njerëzish, me lidhje politike dhe midis tyre, jo ata për të cilët ju flisni, por për një kategori njerëzish mosha e të cilëve nuk reflekton as këtë përvojë për të cilën ju flisni”, tha Braçe.

Guvernatori mbrojti edhe blerjen e Hotel ‘Dajtit’, e përfolur në atë kohë si një favor ndaj Qeverisë së kaluar, duke e quajtur atë si një investim strategjik të Bankës, për të cilin po bëhet projekti i rikonstruksionit.

Top Channel