Shenjtërimi në Vatikan

28/04/2014 00:00

Një ditë pas shenjtërimit të dy Papëve në Vatikan Imzot Gjergj Fredi ka dhënë një intervistë për gazetarin e Top Channel, Thimi Samarxhiu, ku tregon pse duhej ky shenjtërim dhe çfarë përfaqësojnë këto 2 personalitete të larta të Vatikanit.

Në intervistë flitet edhe për qasjen e re që Kisha Katolike kërkon të ketë ndaj besimtarëve ndaj radikalizmin e besimit, por edhe veçantitë e saj në Shqipëri.  

TCH: Vetëm pak ditë më parë Papa Françesku shentëroi Papa Gjon Pali II dhe Papa Gjoni XXIII. Çfarë sinjifikon shenjtërimi në fenë katolike.

Imzot Gjergj Fredi: Fjala ‘shenjtërim’ nuk më pëlqen, pasi do të thotë që ka bërë shenjtër. Nuk është Papa Françesku që ka bërë shenjtër, por vetëm i ka shpallur si të tillë. ka një rëndësi të madhe, së pari pasi ne jetojmë në këtë shoqëri, të cilët janë në prani të zotit dhe ndërmjetësojnë për ne, por edhe duke menduar kush ishin këta dy persona.

TCH: Duke bërë një paralelizëm mes Papa Gjon Pali II dhe Papa Gjoni XXIII, cila ka qenë diferenca mes tyre?

Imzot Gjergj Fredi: Papa Gjoni XXIII është njohur shumë pak, por ka pasur një rëndësi shumë të madhe, ka qenë Papa i dialogut. Ka pasur një përvojë të madhe, ka qenë Turqi, Bullgari dhe Francë. Mund të themi që 2 ishin prioritetet e tij, angazhim për dialog dhe angazhimi i tij për paqen.

TCH: Mos ndoshta ka shërbyer ky shenjtërim për t’i afruar njerëzit më shumë në Kishë?

Imzot Gjergj Fredi:
Besoj që edhe Papa Françesku, sipas meje është një kopje e Papa Gjoni XXIII, ngjan shumë. Ai po përpiqet që Kisha të jetë më afër njeriut, ky është edhe misioni i Kishës.

TCH: Çfarë duhet të bëjnë më shumë besimet fetare për t’i afruar njerëzit?

Imzot Gjergj Fredi: Varet se si e paraqesim fytyrën e zotit sepse çdo njeri ka një dinjitet. Besimi nuk mund të imponohet. Ky është rreziku i botës së sotme. Në Shqipëri kemi pasur fatin që nuk ka qenë asnjë politikan shqiptarë, i cili ka manipuluar besimin dhe kjo ka ndikuar tek bashkëjetesa në Shqipëri. Nuk kemi pasur asnjë Slobodan Milosevic.

TCH: Ju keni pasur rastin të takoni Papa Gjon Palin, si mund ta përshkruani atë?

Imzot Gjergj Fredi: Unë e kam takuar për herë të parë në vitin 1974, më bëri shumë përshtypje me thellësinë e mendjes së tij. Është një nga Papët më të kulturuar, teolog i madh. Kontributi më i madh i tij është për rënien e komunizmit. Duhet të zbulojmë rolin e tij në rënien e komunizmit. Pas 30 viteve hapen disa dokumente. Shenjat e para për krizën në sistemin komunist janë dukur në Poloni me Solidarnosc dhe ai e ka mbështetur shumë atë lëvizje. Kisha Katolike në Poloni kishte një peshë shumë të madhe para se Gorbachev kishte filluar të fliste për Glasnost dhe Perestroika-n. Janë dukur shenjat për rënien e komunizmit në Poloni. Edhe në letrat që Papa Gjon Pali ka shkruar ka nxitur sistemin demokratik, ka ndikuar shumë në Europën e asaj kohe.

TCH: Një nga kritikat më të mëdha që i është bërë Papa Gjon Palit është mos pranimi i abuzimeve të Kishës.

Imzot Gjergj Fredi: Normat e para kundër pedofilisë janë bërë kur ishte ende Papa Gjon Pali. Ai ka qenë i pari që ka marrë masa kundër këtyre abuzimeve.

TCH: Mos ndoshta nje ndjesë publike do të ishte ajo që do të kishte më shumë peshë?

Imzot Gjergj Fredi: Ka qenë ai i pari, ka folur shumë qartë dhe me fjalë të forta kundër atyre që duhet të jepnin një shëmbull, ndërsa janë bërë pjesë e skandaleve. Ai nuk ka qenë kundër homoseksualëve. Është e ndryshme kur thua kundër homoseksualëve dhe kundër martesave të tyre.

Top Channel