“Baywatch” në plazhet shqiptare

28/04/2014 00:00

Për imazhin e tij kemi mësuar nëpër serialet televizive. Sapo dëgjojmë për fjalën “Baywatch” memoria na lidhet menjëherë me Pamela Anderson dhe David Hasselhoff, dy yjet e serialit televiziv amerikan, me të njëjtin emër: Baywatch.

Nëse mund ta përshtasim në shqip, “Roja i një plazhi” në kuptimin jetësor lidhet direkt me asistencën që jepet në momente kritike për të shpëtuar viktimat nga mbytja. Është një koncept që për herë të parë ka filluar të zbatohet në vitin 1918 në plazhin e San Diegos, nxitur nga mbytja e 13 personave në një ditë të vetme në oqean.

Në Shqipëri mirëfilli ky shërbim ende nuk ka nisur të lulëzojë. Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare deklaron se ka disa vite që ekziston një Vendim i Këshillit të Ministrave për rojet e plazhit, por që nuk është funksional në terren. Ndërsa më herët  ai sqaroi detajet e funksionimit dhe zbatimit të projektit pilot.

“Plazhet që ne kemi menduar për t’u zgjedhur si plazhe pilot janë nga veriu në jug, Velipojë, Durrës, Golem, Vlorë, Dhërmi, Orikum dhe Sarandë. Numri i njerëzve që do të punësohen në këto është 35 vetë të cilët do të trajnohen në muajin maj. Janë përzgjedhur nga Akademia e Sporteve. Një pjesë e mirë e të përzgjedhurve janë vajza”, thotë Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare. 

Mesatarisht në vit raportohen 6-9 persona që humbin jetën të mbytur në uje.

Agjensia Kombëtare e Bregdetit, në varësi të Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, po synon që të hedhë themelet e këtij shërbimi duke pajisur këtë verë 7 plazhe kryesore të përzgjedhura si projekte pilote për këtë sezon turistik, me kabinat dhe asistentin përkatës.

Për këtë është çelur edhe një konkurs, ku projektet janë realizuara nga studentë të arkitekturës.

“Pamë që kishte goxha interes dhe studentët tanë morën goxha pjesë. Ata kanë ardhur me 30 makete”, thotë Tare.

Do të jetë juria e përbërë nga arkitektë profesionistë, e cila do të bëjë seleksionimin në fazën e parë, ku nga 30 projekte do të përzgjidhen 16 finalistë. 7 projektet fituese për plazhet e Velipojës, Durrës, Golemit, Vlorës, Orikumit, Dhërmiut dhe Sarandës u përzgjodhën sot në Pasdite në Top Channel për t’u ndërtuar këtë sezon turistik në plazhet përkatëse.

Top Channel