Çmimi “Danish Jukniu” për artet pamore

27/04/2014 00:00

Kryeministri Edi Rama ka vizituar sërish Festivalin e Librit dhe Artit Pamor duke shprehur se qeveria e mbështet  këtë aktivitet që synon të zgjerojë hapësirat e kulturës.

Pas cmimit Ardian Klosi për publicistikën më të mirë një ditë më parë, të dielën u dha cmimi “Danish Jukniu” për punën më të mirë të arteve pamore, me të cilin është vlerësuar Armand Lulaj.

“Marrja e këtij cmimi shpresoj të jetë një ogur i mirë për krijimtarinë e tij artistike”, tha Rama.

Në qendër të këtij festivali është libri shqip, por kryeministri duke vlerësuar nismën e organizatorëve theksoi se ky aktivitetet duhet të marrë përmasa ndërkombëtare.

“Krijimi i këtyre institucioneve që i përkasin komunitetit të artistëve dhe rritja e tyre në përmasa duke kaluar jo vetëm kufijtë që ndajnë hapësirën ku jetojnë shqiptarët, por edhe kufijtë që ndajnë shqiptarët me pjesën tjetër të botës është një synim i yni. Në duam shumë që ky festival të marrë një përmasë ndërkombëtare dhe të kthehet në një ngjarje që të tërheqë cdo vit e më shumë artdashësit”, deklaroi Kryeministri.

Rama foli për reforma në institucionet e kulturës me qëllim që në skenë të ngjiten talentet e reja të cilat të vlerësohen në bazë të meritës.

“Në këtë kënvështrim duhet parë edhe plani ynë i një reforme tërësore të institucioneve të artit dhe të kulturës, të institucioneve publike të cilat duhet të jenë gjithmonë e më shumë të hapura ndaj risive dhe ndaj talenteve dhe nuk mund të jenë përvecse hapësirat ku hierarkinë e vendos merita, e vendos publiku dhe asgjë e paracaktuar më parë në cfardo forme qoftë ajo”, tha Rama.

Festivali i Librit dhe Artit Pamor tashmë do të shndërrohet në një aktivitet i përvitshëm ku lexuesit dhe artdashësit do të mund të kontaktojnë nga afër shkrimtarë e autorë të njohur vendas dhe të huaj.

Top Channel