Në kulmin e debateve politike të nisura nga opozita, për një dokument të Shërbimit Informativ Shtetëror dërguar Ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli për trafik drogës përmes Forcave të Armatosura, ka reaguar nëpërmjet një deklarate për median kreu inteligjencës shqiptare Vishi Ajazi Lika.
Në fillim të deklaratës thuhet se “Shërbimi Informativ Shtetëror shprehet tejet i shqetësuar për valën e spekullimeve mediatike e politike lidhur me një informacion të klasifikuar të këtij shërbimi, me të cilin po abuzohet në dëm të punës sonë e të interesit të vendit tonë përmes një publikimi të paligjshëm në media”.
Për herë të parë në mënyrë zyrtare Visho Ajazi Lika hedh poshtë akuzat e ngritura me forcë nga opozita se ushtria është përfshirë në trafik droge.
“Ky informacion jo vetëm nuk përmban asnjë fakt të vërtetuar nga ne lidhur me trafikimin e drogës përmes infrastrukturës ushtarake, thotë drejtori SHISH, por po shpërdorohet mediatikisht në një formë krejt të papranueshme që cënon drejtpërdrejt punën dhe imazhin e Shërbimit Informativ të Shtetit”.
Puna e SHISH, sqaron Visho Ajazi Lika, është t’u përcjellë autoriteteve të larta, në formë të klasifikuar, informacione jo vetëm mbi çdo fakt të vërtetuar, por edhe mbi çdo dyshim të arsyeshëm që gjykohet se mund të vlejë për të ndaluar apo parandaluar fenomene ose ngjarje të rrezikshme për sigurinë e vendit.
Në fund të deklaratës publikuar në faqen zyrtare të shërbimit thuhet se “ SHISH u bën apel mediave dhe politikës që, për interesat e ditës, të mos dëmtojnë punën e institucionit dhe interesat e vendit, duke e siguruar publikun se informacioni në këtë rast nuk lidhet me përfshirjen e asnjë strukture shtetërore, si dhe duke u kërkuar organeve të drejtësisë të vendosin para ligjit burimet e dekonspirimit të informacionit të klasifikuar”.
Deklarata e plotë e SHISH
Shërbimi Informativ Shtetëror shprehet tejet i shqetësuar për valën e spekulimeve mediatike e politike lidhur me një informacion të klasifikuar të këtij shërbimi, me të cilin po abuzohet në dëm të punës sonë e të interesit të vendit tonë përmes një publikimi të paligjshëm në media.
Ky informacion jo vetëm nuk përmban asnjë fakt të vërtetuar nga ne lidhur me trafikimin e drogës përmes infrastrukturës ushtarake, por po shpërdorohet mediatikisht në një formë krejt të papranueshme që cënon drejtpërdrejt punën dhe imazhin e Shërbimit Informativ të Shtetit.
Puna e SHISH është t’u përcjellë autoriteteve të larta në formë të klasifikuar, informacione jo vetëm mbi çdo fakt të vërtetuar, por edhe mbi çdo dyshim të arsyeshëm që gjykohet se mund të vlejë për të ndaluar apo parandaluar fenomene ose ngjarje të rrezikshme për sigurinë e vendit.
SHISH u bën apel mediave dhe politikës që, për interesat e ditës, të mos dëmtojnë punën e institucionit dhe interesat e vendit, duke e siguruar publikun se informacioni në këtë rast nuk lidhet me përfshirjen e asnjë strukture shtetërore, si dhe duke u kërkuar organeve të drejtësisë të vendosin para ligjit burimet e dekonspirimit të informacionit të klasifikuar.
PD: Dëshmitë zbulojnë trafikun
Më herët Partia Demokratike, nëpërmjet zëdhënëses Laura Vorpsi deklaroi se tashmë ka prova publike për trafikimin e drogës me avion.
“Ndërsa Qeveria nuk mund të fshihet më, drejtesia duhet të hetojë këtë skandal’, tha zedhenesja e kesaj partie ne nje deklarate per mediat. Dëshmi të reja tronditëse po dalin çdo ditë, që tregojnë se avionët e drogës, janë ulur në territorin tonë, janë ngarkuar me mall dhe janë larguar. Në Gjadër, në Lushnje, në Kardhiq, etj, avionë ngarkohen me drogë dhe e trafikojnë atë në vende të tjera.Kjo është një situatë e paprecedentë. Dëshmitë tregojnë se në 7 muaj të qeverisjes Rama-Meta, Shqipërinë e kanë shtënë në dorë narkotrafikantët, droga ka plasur sheshit dhe trafiku i saj bëhet me cdo mjet e mundësi. Ne i kërkojmë Prokurorisë, Policisë së Shtetit, të ngrihen në rolin që u ka ngarkuar kushtetuta, të bëjnë detyrën dhe të mbrojnë republikën tone nga kjo kanosje që po i bëhet prej trafikut të drogës”, tha zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi.
Top Channel