Protesta e PD-së, pa “pëlqimin” e aleatëve

26/04/2014 00:00

Partitë e koalicionit opozitar janë të paqarta dhe të pakoordinuara për
organizimin e fushatave të protestave në të gjithë vendin.

Edhe pse në çdo dalje publike kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, bën thirrje për protesta dhe kërcënon me revolta popullore ndaj keqqeverisjes socialiste, brenda opozitës ende nuk ka një vendim përfundimtar se kur do të nisin këto tubime.

Duke komentuar tryezën me përfaqësuesit e sindikatave dhe shoqërisë civile që kreu i PD-së organizoi tri ditë më parë, kreu i PDK-së, Nard Ndoka, dhe kreu i PR-së, Fatmir Mediu, shprehen se ende nuk ka një plan konkret organizimi dhe veprimi për këtë çështje.

“Sa i takon tryezës të tri ditëve më parë, ne nuk jemi parti sindikaliste. Me aq sa jam informuar ai ishte një takim në formë konsultative dhe tejet i domosdoshëm për opozitën, në mënyrë që të koordinojë dhe të përfshijë në kauzën e saj sa më shumë grupe interesi. Por nga ana tjetër, deri tani nuk është organizuar asnjë takim mes partive të koalicionit për këtë çështje, kështu që nuk ka ende asnjë vendimmarrje përfundimtare nga partitë e opozitës për nisjen e këtyre protestave. Dhe nëse do të vendoset bashkërisht për protesta, natyrisht që ne do të jemi pjesë e tyre”, u shpreh Ndoka për gazetën “Shqip”. Ndërsa i pyetur lidhur me vendimin e dy ditëve më parë të Kuvendit për ngritjen e një komisioni parlamentar për reformën administrative pa praninë e opozitës, kreu i PDK-së theksoi se kjo është një aventurë politike e mazhorancës qeverisëse. “Unë shpresoj që reforma të përmbyllet me konsensusin e të gjitha palëve, pasi një reformë territoriale e realizuar në mënyrë të njëanshme është një aventurë politike e kësaj mazhorance. Por nëse e bën e vetme këtë reformë, atëherë neve si opozitë nuk na mbetet rrugë tjetër për të zgjedhur veçse ajo e protestave dhe përshkallëzimit të lëvizjes qytetare”, u shpreh kreu i PDK-së, Nard Ndoka.

Republikanët

Duke nënkuptuar se opozita ende është e paorganizuar në aksionin e saj, republikanët shprehen të mendimit se për nisjen e protestave  duhet të rakordohet me të gjitha grupet e interesit, për të hartuar një plan konkret veprimi për opozitën, ku aksioni të mos përqendrohet vetëm te protesta. Kreu i PR-së, Fatmir Mediu, shprehet se një plan veprimi konkret për të përfaqësuar interesat tuaja dhe për të vepruar së bashku, do t’i shërbejë më mirë presionit të opozitës ndaj qeverisë. “Që të kemi veprime konkrete dhe të mos i ngelemi spontanitetit, apo anës deklarative duhet që kjo tryezë të krijojë një grup pune që të analizojë të gjithë veprimtarinë që ne duhet të kryejmë në kohë me të gjitha grupet e interesit, si: iniciativa politike, protesta, iniciativa ligjore në mbështetje të këtyre grupeve të interesit, në mënyrë që zëri ynë në Kuvend të jetë vërtet një zë përfaqësues i interesave të qytetarëve shqiptarë. Besoj se përcaktimi i prioriteteve do të na bënte që të ishim më efektivë, dhe, kam bindjen se po ashtu, duhet të organizohemi edhe me grupe të tjera interesi, sidomos me një përfaqësi më të gjerë të biznesit, të pronarëve, të përndjekurve politikë, të të rinjve, për të parë dhe dëgjuar me vëmendje të gjitha shqetësimet e tyre dhe në këtë mënyrë, për të përfaqësuar edhe zërin e tyre”, tha Mediu. Duke vijuar më tej, kreu i republikanëve shprehet i mendimit që opozita duhet të kërkojë në Kuvend ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të gjithë të larguarit nga puna.

Top Channel