Përmirësohen treguesit fiskalë

26/04/2014 00:00

Të ardhurat totale në buxhet për tre muajt e parë të vitit ishin 1.6 për
qind më shumë se plani. Të dhënat zyrtare tregojnë për periudhën
janar-mars se Qeveria ka mbledhur rreth 82.1 miliardë lekë në total, ose
6.2 miliardë më shumë se një vit më parë.

Sipas shifrave, ky rezultat ka ardhur kryesisht nga ecuria e fortë pozitive e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, nga i cili për tre muajt e parë të vitit janë arkëtuar 4.7 miliardë lekë më shumë se vjet, me një rritje prej 20 për qind. Rritje ka edhe për Tatim Fitimin dhe të ardhurat nga sigurimet shëndetësore, ndërsa akciza, është më rënie, përkatësisht 13 për qind më pak se vjet.

Në krahun tjetër, atë të shpenzimeve, Qeveria ka qenë e përmbajtur, duke shpenzuar 7.4 për qind më pak se plani i kësaj periudhe. Rritja e të ardhurave dhe mbajtja e shpenzimeve nën kontroll ka bërë që deficiti buxhetor për tre muajt e parë te jete mbi 2 herë më pak se shifra e planifikuar. Treguesit fiskale kanë qenë një çështje e nxehtë debati mes maxhorancës dhe opozitës gjatë muajve të fundit.

Nga ana tjetër ecuria e të ardhurave të buxhetit për këtë vit është kritike jo vetëm për qëndrueshmërinë e financave publike, por edhe për një arsye tjetër, e cila buron nga marrëveshja me Fondin Monetar. Nëse Qeveria nuk i realizon të ardhurat sipas planit, marrëveshja me FMN-së, kushtëzon automatikisht masa të tjera shtesë në kahun e të ardhurave përmes rritjes së disa taksave. Për tremujorin e parë të ardhurat e kanë tejkaluar objektivin me 1.6 për qind, por një pjesë e këtij tejkalimi lidhet me ndihmat, dhe rënien drastike të TVSH-së që i kthehet biznesit, përkatësisht 1.35 miliardë lekë më pak se vjet.   

Top Channel