Korrupsioni në gjyqësor

26/04/2014 00:00

Korrupsioni në gjyqësor është kryefjalë e këtyre ditëve, po flet politika, po flet edhe media, madje kur Presidenti i Republikës bënë një deklaratë dhe thotë se ka gjyqtarë që e nisin ditën e tyre me një zarf apo edhe Ministri i Drejtësisë që kërkon reformë të thellë, padyshim që është një temë e rëndësishme. 

Manjola Bejleri, gjykatëse dhe ish kryetare e Shoqatës së Gjyqtarëve ishte e ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” për të folur në lidhje më këtë temë.

Pandi Gjata: Në çfarë përmasash është korrupsioni në gjyqësor?

Manjola Bejleri: Është një pyetje që në dukje është e thjeshtë, ndoshta ju prisni një statistikë, por kjo mungon. Lidhur me korrupsionin është debatuar shumë pasi është një nga fenomenet negative dhe shumë të rënda. Ka pasur edhe raste që janë konstatuar dhe më pas është ndjekur rruga ligjore, por perceptimi nga publiku është tejet i madh, vërtetësia dhe faktorët e perceptimit janë problem tjetër. Çdo veprimtari ndikon në krijimin e këtij perceptimi, por duhet të kemi kujdes që të krijohet një lloj perceptimi real dhe të mos përbaltim atje ku nuk duhet.

Pandi Gjata: Nuk është se flasim për të gjithë gjyqësorin, por perceptimi është krijuar nga rastet e veçanta, nga individ, gjyqtarë të arrestuar, siç është rasti i Pogradecit, pra është një perceptim që është në rritje.

Manjola Bejleri: Ky perceptim ka ekzistuar edhe më parë ndaj gjyqësorit dhe ka ardhur në rritje. Korrupsioni është një fenomen social dhe është i ndryshëm edhe sipas zhvillimit që kanë shoqëritë. Ky nuk është një fenomen që ndodh vetëm në Shqipëri. Së fundi janë bërë të ditura problematikat që ka sjellë edhe në vendet e BE-së korrupsioni, me miliona euro humbje. Ky fenomen ndikohet nga shumë faktorë social dhe ekonomik, por edhe nga mënyra e formimit të një shteti, sa më i varfër të jetë një shtet aq më i madh është edhe korrupsioni.

Pandi Gjata: Për vite me radhë keni qenë në krye të Shoqatës së Gjyqtarëve. A duhet të nisi një katarsis edhe brenda komunitetit tuaj?

Manjola Bejleri: Problemet që ka gjyqësori nuk rregullohen vetëm duke u nisur nga brenda, por duhet të ketë ndihmesë edhe nga ekzekutivi dhe legjislativi secili duke ushtruar kompetencat e veta kushtetuese dhe ligjore. Në mënyrë të pazgjidhshme gjyqësori është i lidhur me 2 pushtetet e tjera. Reforma filloi si proces në vitin 2008, pati edhe një pakt midis 2 partive më të mëdha të vendit. Si pasojë e këtij pakti u fillua me organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor. Atëherë pati edhe një reagim shumë të fortë edhe nga gjyqtarët, jo vetëm me përmbajtjen e ligjit, por edhe me hartimin dhe mënyrën se si hyri në fuqi ky ligj. Procesi nuk ishte gjithëpërfshirës pasi gjyqtarët nuk morën pjesë fare në këtë proces. Tani ka pasur propozime në lidhje dispozita të veçanta, në mënyrë që të sigurohej një pavarësi më e madhe për gjyqësorin. Politika ka pasur tendencat e veta në lidhje me cenimin e pavarësisë së gjyqësorit. Është një luftë që shikohet si normale, kjo luftë ekziston edhe në vendet e zhvilluara.

Pandi Gjata: Por në vendin tonë kjo ndërhyrje është më e theksuar, apo jo?

Manjola Bejleri: Në Shqipëri ka qenë më e mprehtë apo më e ashpër. Në beteja të tilla gjyqtarët edhe fituan në disa aspekte.

Pandi Gjata: Aktualiteti tani flet për një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë. A do të shkëputet dot politika për të lënë një sistem gjyqësor të pavarur?

Manjola Bejleri:
Duhet të punohet të punohet për të rregulluar ato problematika që shfaq vet ligji për organizimin dhe funksionimin e gjyqësorit. Reforma ka prekur në mjaft aspekte sistemin e drejtësisë,jo vetëm për mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të gjykatave, por edhe ligjit të Prokurorisë. Edhe ndryshimet në Kushtetutë ndikonin në gjyqësor, kjo reformë vazhdon ende të ndodh pasi gjyqësori ka problematika. Kërkohet që procesi i reformimit të jetë gjithëpërfshirës.

Top Channel