Ukrainë, merren peng vëzhguesit ndërkombëtarë

25/04/2014 00:00

Ministria e Brendshme e Ukrainës njoftoi sekuestrimin e një autobusi me
vëzhgues ndërkombëtarë nga separatistët pro-rusë në lindje të vendit.

Sipas zyrtarëve të saj, kanë nisur negociatat për lirimin e monitoruesve, ndalimi i të cilëve u bë në afërsi të qytetit të Sloviansk-ut.

Çdo ditë e më shumë, gjuha e diplomacisë po zëvendësohet nga konfrontimet e akuzat reciproke, teksa Shtetet e Bashkuara dhe Rusia po bëjnë manovrat e tyre, në mesin e krizës, mbi ardhmërinë e Ukrainës.

Edhe pse makineria e diplomacisë arriti të prodhonte një marrëveshje konkrete në Gjenevë, aktivistët pro-rusë refuzojnë të ulin armët.

Ministria e Brendshme flet për 7 përfaqësues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) të marrë peng nga separatistët, 5 ushtarë ukrainas që i shoqëronin, si dhe shoferin e autobusit.

Edhe vet liderët mbështetës të Moskës në Sloviansk e konfirmuan ndalimin e mjetit, e thanë se po verifikojnë identitetet e personave në bord. Sipas korrespondentëve të huaj, vëzhguesit e ndaluar nuk janë pjesë e misionit qendror të OSBE-së në vend, për të cilin u ra dakord pas negociatave të gjata mes Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara.

Me sa duket, bëhet fjalë për monitorues ushtarakë të paarmatosur, të cilët vijnë nga shtete të ndryshme të organizatës. Ministria gjermane e Mbrojtjes, e ngarkuar me koordinimin e misionit, pohoi më herët se kishte humbur kontaktet me grupin në fjalë.

Top Channel