Ukraina i ndërpret ujin Krimesë

25/04/2014 00:00

Ukraina nuk mund të vendosë me forcën e armëve nën kontroll Krimenë, por kjo s’e pengon që të vendosë sanksione ndaj krahinës që Rusia e bëri në mënyrë të njëanëshme pjesë të territorit të vet.

Njëri prej tyre është ndalimi i furnizimit me ujë. 80 përqind të sasisë të nevojshme të ujit që përdoret për të vaditur tokat, Krimeja e siguron nga një sistem artificial vaditës që niset nga lumi Dneiper në rajonin e Kherson-it e përfundon në Kerch, në jug-lindje të Gadishullit.

Kanali kryesor i këtij sistemi është tharë plotësisht. Ministri rus i Bujqësisë, Nikolai Federov lëshoi alarmin duke thënë se nëse uji nuk lëshohet brenda pak ditësh, atëherë humbjet për banorët e Krimesë do të jenë miliona dollarë. Ai tha se thatësira rrezikon 120  mijë hektarë të mbjella kryesisht rrush, oriz, misër dhe sojë.

Ukraina nuk i njeh autoritetet e reja të Republikës Autonome të Krimesë, ndërkohë që Rusia e konsideron gadishullin territor të sajin, madje ka nisur punën për vendosjen e pikave kufitare me pjesën tjetër të Ukrainës, duke njoftuar vendosjen e rregullave të reja për hyrjet dhe daljet nga rajoni.

Top Channel