Turizimi i përbashkët Shqipëri-Mali i Zi

25/04/2014 00:00

Shqipëria dhe Mali Zi do të aplikojnë për fonde të përbashkëta tek
Bashkimi Europian të cilat do të shërbejnë për realizimin e projekteve
ndërkufitare dhe rajonale të turizmit. Një prej këtyre projekteve është
ai i Alpeve i shtrirë mes kufijve të Shqipërisë, Malit të Zi dhe
Kosovës.

Në pjesën shqiptare projekti përfshin komunat e Tropojës, Mergegaj, Kelmend, Shkrel, Shalë, Shllak dhe Shosh. Për zhvillimin e turizmit në këto zona, projekti parashikon përmirësimin e infrastruktures, cilësinë e shërbimeve publike, si dhe menaxhimin e mbetjeve të ngurta.

“Kemi diskutuar me ministrat respektivë në Kosovë dhe me ministrin në Mal të Zi, që të tre vendet mund të ofrojmë një masterplan të përbashkët, i cili të identifikojë të gjitha potenciale për zhvillimin e turizmit në këtë zonë dhe për të afruar sa më shumë turistë. Mendoj se ky projekt do të konkretizohet me një plan pune të përbashkët me të tre shtetet”, tha ministrija e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni.

Një tjetër projekt i përbashkët me Malin e Zi është ai i shfrytëzimit të Liqenit të Shkodrës për qëllime turizmi. Ministyrja gjermani tha se Jemi të vonuar dhe duhet ta kthejmë këtë burim natyror në potencial ekonomik. Projekti i tretë është ‘Majat e Ballkanit’ që synon krijimin e shtegut malor me gjatësi rreth 192 kilometra që shtrihet në Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi e që promovon potencialet turistike të këtyre zonave.

Ministri malazez i Turizmit tha se vendi i tij është i gatshëm t’i japë Shqipërisë përvojën në turizëm.

“Do të donim që investitorët malazez të vijnë në shqipëri dhe të realizojnë projekte të ngjashme me ato malazeze po ashtu investitorët shqiptarë të vijnë në Mal të Zi dhe ta shohin si potencial investimi. Momentalisht kemi 25 deri 30 mijë turistë nga Shqipëria por qëllimi është të shkojmë në 50 mijë”, thotë Branimir Gvozdenovic, ministër i Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Turizmit i Malit të Zi.

Top Channel