Rikthehet Banka Bujqësore

25/04/2014 00:00

Qeveria synon që projektin për ngritjen e bankës bujqësore ta realizojë përmes unionit të kursim kredive.

Ministri i Financave Shkëlqim Cani shfrytëzoi ansamblenë kombëtare të këtij institucioni për të bërë publik propozimin.

“Do të guxoja të artikuloja me ju, në këtë asamble të nderuar, të përfaqësuesve të botës financiare të fshatit, edhe krijimin e Bankës Bujqësore, ku do t’ju shihnim si ndër faktorët thelbësorë për krijimin e kësaj banke. Natyrisht mbetet në dëshirën dhe në vizionin tuaj për ta realizuar”, tha Cani.

Bujqësia jep rreth 19 për qind të Prodhimit Kombëtar dhe punëson gati gjysmën e popullsisë aktive. Por megjithë peshën e madhe në ekonomi, fermerët nuk kanë akses në kreditë bankare dhe burimi i tyre i vetëm për financime kanë qenë shoqëritë e kursim kreditit.

“Gjatë vitit 2013, falë një rrjeti kapilar, që mbulon 1080 fshatra, Unioni SHKK vazhdon të ofrojë shërbime financiare ndër më konkurrueset në treg, duke injektuar gjatë vitit 2013, 12 milionë euro të shpërndarë në 5100 fermerë dhe duke mbledhur 3.4 milionë euro depozita të reja”, tha Zana Konini, kryetare e Unionit të SHKK.

Ngritja e një banke të posaçme për të financuar bujqësinë është kërkuar me ngulm edhe nga ekspertët për t’i dhënë këtij sektori akses në financime duke mundësuar rritjen e prodhimit dhe të ardhurave në fshat.  

Top Channel