Lindje e Mesme, “pushimi” i duhur për reflektim

25/04/2014 00:00

Presidenti amerikan, Barack Obama, deklaroi të premten se “një pushim” mund të jetë i nevojshëm në bisedimet e paqes, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, mes Izraelit dhe Palestinës, duke sugjeruar se përpjekjet për paqe në Lindjen e Mesme mund të mos arrijnë gjëkundi, në këtë situatë.

Izraeli pezulloi gjatë së enjtes pjesëmarrjen në bisedimet e paqes me palestinëzët, në kundërpërgjigje të paktit të papritur të unitetit të presidentit Mahmoud Abbas, me rivalët e Hamas-it, një grup islamik që Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë si organizatë terroriste.

Duke folur në një konferencë për shtyp nga Seuli, Obama e quajti lëvizjen e fundit të palestinezëve si “të padobishme dhe aspak ndihmuese”, si dhe tha se kjo është në vazhdën e një serie lëvizjesh nga të dyja palët, të cilat kanë dëmtuar shanset për arritjen e një marrëveshjeje për paqe.

“Vjen një moment, në të cilin mendohet se ndoshta një pushim do të jetë i nevojshëm, në mënyrë që të dyja palët të rishikojnë të gjitha alternativat”, tha Obama për reporterët.

Edhe pse Obama këmbënguli se nuk është i gatshëm të braktisë vendosmërinë e tij për paqe në Lindjen e Mesme, ai tha: “Ajo që s’kemi parë ne në këto bisedime është sinqeriteti, dëshira politike për të ndërmarrë vendime të vështira. Po, sinqeriteti, dhe kjo vlen për të dyja palët”.

Negociatat kanë pasur mosmarrëveshje edhe përpara se të shpallej marrëveshja e unitetit, të mërkurën, mes grupeve palestineze, e cila e futi procesin në një krizë edhe më të thellë.

SHBA-të synonin t’i shtynin bisedimet përtej 29 Prillit, që ishte afati filletar i skadimit të negociatave, të cilat nisën rreth 9 muaj më parë, me ndërmjetësimin e Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry.

Top Channel