
Ekonomia ruse po jep shenjat e para të përplasjes gjeopolitike mes Moskës dhe Perëndimit për shkak të krizës në Ukrainë.
Agjencia e vlerësimit të kredimit ‘Standard & Poor’s’ njoftoi zhvlerësimin e besueshmërisë së ekonomisë ruse, nga BBB në BBB-. Agjencia argumenton vendimin e saj duke deklaruar se me vazhdimin e krizës në Ukrainë pasiguria tek investitorët e huaj dhe ata vendas është rritur ndjeshëm.
“Në kendvështrimin tonë, situata mes Rusisë dhe Ukrainës mund të shkaktojë largimin e kapitalit vendas dhe të huaj nga ekonomia ruse dhe kjo përkeqëson akoma më shumë perspektivat e rritjes së dobët të ekonomisë”, thotë S&P.
Investitorët e huaj kanë nisur tërheqjen e kapitaleve të tyre nga bankat ruse të trembur nga përshkallëzimi i krizës ukrainase. Tre muajt e fundit janë tërhequr 63.7 miliard dollarë nga Rusia, rritja ekonomike është ngadalësuar ndjeshëm dhe parashikimet janë pesimiste duke e ndalur shifrën e rritjes në jo më shumë se 0.5 përqind për këtë vit.
Të premten Banka Qendrore e Rusisë vendosi rritjen e normës së interesit nga 7 në 7.5 përqind, një lëvizje kjo për të mbrojtur monedhën vendase. Javët e fundit, ndihmuar edhe nga sanksionet e perëndimit, rubla ka humbur terren përballë dollarit amerikan dhe euros.
Për “Standard & Poor’s” ky është sinjali i parë i zhvlerësimeve të mëtejshme që do të pasojnë besueshmërinë e kreditimit të Moskës nëse të tjera sanksione të Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara do të pasojnë.
Top Channel