K. Veriut, arrestohet një tjetër turist amerikan

25/04/2014 00:00

Korea e Veriut ka njoftuar ndalimin e një turisti 24-vjeçar amerikan, në fillim të Prillit, për arsye se – sipas tyre – “ka shkelur rëndë rendin ligjor”.

Njoftimi u bë gjatë kohës që presidenti amerikan Barack Obama ka qenë për një vizitë në Korenë e Jugut, një prej aleatëve më të afërt të Uashingtonit, por që teknikisht vijon të jetë në luftë me Penianin.

“Një organ i rëndësishëm i RDPK ka arrestuar amerikanin Miller Mattheë Todd, 24 vjeç, më 10 Prill, për sjelljen e tij të nxituar në momentin që po kalonte formalitetet për të hyrë në Kore dhe për të zhvilluar një tur turistik në të”, raporton agjencia shtetërore e lajmeve KCNA, duke përdorur emrin zyrtar të vendit, të njohur edhe si Republika Demokratike Popullore e Koresë.

Kenneth Bae, një misionar koreano-amerikan, mbahet prej më shumë se 1 viti në Korenë e Veriut dhe është dënuar me 15 vjet punë të detyruar, i akuzuar se është përpjekur të rrëzojë pushtetin.

Korea e Veriut ka refuzuar një ofertë gjatë Gushtit të kaluar, që Robert King, një i dërguar special i Shteteve të Bashkuara për të drejtat e njeriut në Korenë e Veriut, të vizitonte vendin dhe të diskutonte mbi çështjen e Bae-s, duke shfuqizuar gjithashtu një ftesë ndaj tij për të vizituar vendin, gjatë Shkurtit.

KCNA tha se Todd kishte një vizë turistike për në Kore, por e kishte grisur atë dhe kishte bërtitur se kishte “shkuar në Korenë e Veriut pasi e kishte zgjedhur atë si një vendstrehim”.

Obama deklaroi të premten se Korea e Veriut përfaqëson një rrezik serioz jo vetëm për Azinë, por edhe për Shtetet e Bashkuara. Ai dhe presidentja e Koresë së Jugut, Park Geun-hye, tha se do t’i përgjigjen vendosmërisht çdo lloj “provokimi”.

Top Channel