“Bashkimi” doganor Shqipëri-Kosovë

25/04/2014 00:00

Shqipëria dhe Kosova hedhin hapin e radhës për t’i dhënë fund, asaj që
Kryeministri Edi Rama e quajti një epokë të turpshme në marrëdhëniet
tregtare mes dy vendeve dhe hapjen e një kapitulli të ri në
bashkëpunimin doganor.

Dhe, që kjo të bëhet realitet Kryeministri Rama deklaroi se duhet që burokracinë ta shpallim armik të përbashkët. Nga takimi mes përfaqësuesve të doganave nga Shqipëria dhe Kosova, Edi Rama parashtroi një sërë propozimesh.

“Krijimi i terminaleve të përbashkëta, por dhe i zyrave të përbashkëta doganore është një domosdoshmëri, besojmë, për të hapur pastaj procesin e lehtësimit në të gjitha aspektet. Afrimi nuk është vetëm logjistikë, por është njehsim procedurash, është shkurtim drastik i kontrolleve, është shkurtim drastik i kohës së përpunimit dhe të kalimit dhe për të reduktuar evazionin dhe trafiqet e paligjshme”, tha Rama.

Lehtësimi procedurave të tranzitimit ishte një tjetër propozim që do të thotë se mallrat e nisura nga Durrësi do ta mbyllin tranzitin në destinacionin final, në Kosovë.

Kryeministri Rama e përshkroi si skandaloze përpunimin në dogana të produkteve ushqimore për të kaluar në Kosovë. ‘Nëse nga Kosova në Serbi,- tha Rama,- një kamioni i duhet 4 orë për të kaluar, nga Shqipëria në Kosovë nevojiten 2 ditë’.

“Ky është një handikap që praktikisht e ul në gjunjë shkëmbimin tonë tregtar. Për shmangien e këtij handikapi ne duhet menjëherë të ulemi dhe të punojmë për njohjen e certifikatave fitosanitare. Me fjalë të tjera një certifikim kombëtar, pavarësisht se e ka lëshuar një agjenci në Shqipëri apo një agjenci në Kosovë”, tha Rama.

Të njëjtin shqetësim ndau edhe ministri i Financave të Kosovës, Besim Beqaj.

“Ne nuk kemi barriera tarifore, ato janë konform politikës tuaj dhe tonë, janë në rregull në harmoni me legjislacionin që e kemi adekuat dhe atë europian, por kemi probleme tek barrierat jotarifore. U tha shumë mirë nga Kryeministri, prej burokracisë në kufi, agjencitë e shumta të cilat janë aty, kërkesat e licensave, certifikatat të cilat nuk njihen këtej apo andej, dhe ky është fakt. Këto certifikata, përderisa janë të nivelit ndërkombëtar, me statut të njohjes ndërkombëtar, nuk e di pse nuk njihen në nivel kombëtar”, tha Beqaj.

Krahas Dhomës Kombëtare të Tregtisë Rama propozoi edhe ngritjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar, i cili do të ketë takime në Prishtinë dhe Tiranë me përfaqësues nga biznesi, doganat dhe dy ministritë e financave.

Top Channel