Agça: Wojtyla, njeriu më i mirë i shekullit

25/04/2014 00:00

“Papa Gjon Pali II meriton të konsiderohet njeriu më i mirë i shekullit,
por shenjtëri është vetëm njëri, Zoti”. Kështu thotë Ali Agça,
atentatori i atit të shenjtë më 13 maj 1981, në një intervistë për
agjencinë italiane të lajmeve, ANSA.

“Bota duhet ta dijë se ekziston vetëm një shenjtor dhe ky është Zoti, i vetmi dhe i plotfuqishmi zotërues i Universit të pafund. Shenjtërimi i një personi apo një krijese tjetër është një mëkat i pafalshëm kundër Zotit të padukshëm. Por nëse e përkufizojmë shenjtërinë njerëzore si një model human për ta prezantuar para njerëzimit, atëherë Gjon Pali II meriton të jetë njeriu më i mirë i shekullit”, ka thënë Agça.

Gjatë intervistës ish-Ujku Gri tregon se qëllimi i tij ishte padyshim që ta vriste Papën, por – shton ai – mbijetesa e tij ishte një mrekulli.

“Po, doja ta vrisja Papën dhe doja të vdisja në Sheshin Shën Pjetër. Por pas shumë vitesh e kuptova, pash me prova personale të pakontestueshme se më 13 maj 1981 Zoti kreu një mrekulli në atë shesh”, ka thënë Agça.

“Atentati ndaj Papa Wojtyla ishte vendosur nga një sistem hyjnor. Pra, gjithçka që ndodhi ishte planifikuar dhe zbatuar nga sistemi hyjnor”, ka vijuar ai.

Më tej gjatë intervistës atentatori flet edhe për takimin e tij me Papën, i cili me mirësinë, pastërtinë dhe sinqeritetin e tij duhet të jetë një shembull për njerëzimin.

“Më kujtohet takimi me Papën si një nga ngjarjet më të bukura e më të rëndësishme të jetës sime. Siç tha dhe vetë Papa, ai takim historik ishte një mrekulli e vendosur nga Zoti. Më bëri përshtypje sinqeriteti dhe ndershmëria e Papës polak. Ishte një njeri me një dashuri të çiltër dhe pa interesa. Prandaj duhet t’ia paraqesim mbarë njerëzimit si një vëlla për t’u marrë shembull nga mirësia, ndershmëria dhe sinqeriteti i tij”, ka thënë Agça.

Top Channel