Ukrainë, vriten 5 separatistë. Putin kërcënon

24/04/2014 00:00

Komandot ukrainase ndodhen në Sloviansk, një nga bastionet e separatistëve pro-rusë në Lindje të Ukrainës.

BBC citon Ministrinë e Brendshme të Ukrainës, sipas së cilës “të paktën 5 separatistë u vranë kur komandot, të mbështetur nga tanket, nisën të rrëzojnë barrikadat e ngritura në afërsi të qytetit”.

Një ndihmës i kryebashkiakut të vetëshpallur të Sloviansk-ut foli “për të paktën dy të vrarë”.

Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi për pasoja, nëse Kievi përdor ushtrinë kundër popullit të tij. Duke folur në televizionin rus, pas publikimit të lajmit për operacionin e trupave ukrainase në Sloviansk, Putin tha: “Nëse regjimi në Kiev ka nisur të përdorë ushtrinë kundër popullsisë brenda vendit, kjo pa mëdyshje përbën një krim shumë serioz”.

Nga Tokio, presidenti amerikan Barack Obama akuzoi Rusinë se po shkel paktin, që u arrit në Gjenevë të Zvicrës, më 17 Prill. Gjatë një konference për shtyp me kryeministrin japonez, Shinzo Abe, shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se “Moska dështoi për t’i ndaluar militantët në rajon” dhe paralajmeroi se “SHBA kanë gati sanksionet kundër Rusisë”.

Më herët, ministri i Brendshëm i Ukrainës, Arsen Avakov, tha se “trupat ukrainase morën nën kontroll Bashkinë e qytetit Mariupol, në rajonin e Donjeckut dhe rolin kryesor, në operacionin e zhvilluar gjatë natës, e luajtën aktivistët civile.

Këtu, disa persona mbetën të plagosur. Faqja online e lajmeve “06/29″ citoi përfaqësuesit e të ashtuquajturës “Republika Popullore e Donjeckut”, të cilët thanë se “vazhdojnë të mbajnë të pushtuara ndërtesat qeveritare”. Avakov tha gjithashtu se “ushtarët ukrainas në Artemivsk, qytet i rajonit të Donjeckut, zmbrapsën dhjetra militantë pro-rusë, që u përpoqën të rrëmbenin armët nga një njësi ushtarake. Këtu u plagos një ushtar”, tha Avakov.

Një video, ende e paverifikuar, e postuar në Youtube, tregon helikopterë ushtarakë që fluturojnë mbi Artemivsk”. Separatistët pro-rusë mbajnë të pushtuara ndërtesat qeveritare në disa qytete në Lindje të Ukrainës dhe kërkojnë afrimin me Rusinë.

Top Channel