“Shqip”: Aktualiteti politik

24/04/2014 00:00

Aktualiteti politik i kësaj të hëne nuk është fakti që ish-Prokurorja e Përgjithshme është pa punë, por që qindra mijëra shqiptarë janë pa një të tillë.

Megjithatë, në studion e edicionit qëndror të lajmeve, Ina Rama foli për refuzimin e KLD për kërkesën e saj për të punuar në Gjykatën e Apelit dhe në emisionin e përjavshëm të Rudina Xhungës, në “Shqip”, u nda opinioni për këtë fakt dhe shumë fakte të tjera që kanë shqetësuar opinionin publik me analistët Aleksandër Çipa, Eduard Zaloshnja, Lutfi Dervishi dhe Lorenc Vangjeli.

“Sipas ligjit, Rama duhet të kthehet në vendin që ka pasur. Jemi në këtë situatë, ku qëndrimi është i dukshëm politik, por vetëm për të parë”, nisi bisedën në studio zoti Dervishi.

“Ky është ndër ato raste që të lë pa fjalë, pasi zonja Rama ka mbi një vit e gjysmë që ka drejtuar një kërkesë në KLD, që është refuzuar me heshtje vazhdimisht që të futet në rendin e ditës dhe ndonëse ligji është i qartë, i prerë dhe taksativ, që thotë se Prokurori i Përgjithshëm, me mbarimin e mandatit kthehet në vendin e mëparshëm ose në një vend të barazvlefshëm, kjo gjë nuk ndodhi. Më befasoi shumica dërrmuese që votoi kundër zonjës Rama dhe në këtë botë duket se vetëm budallenjtë janë kaq të sigurt, pasi një minimum inteligjence do të kishte pak dyshim brenda dhe përtej fjalëve të Ramës. Do të isha shumë kureshtar të dija çdo të thonte pala tjetër dhe mbi të gjitha Presidenti i Republikës, që me sa dimë ka abstenuar, duke përqafuar shprehjen e parimin e hershëm as të shtrëngon as të lëshon. Nuk e di se si do ta justifikonte një akt të tillë, një sjellje të tillë që mund të jetë vetëm politike, nga ajo lloj politike që gatuan vetëm gjëra të këqija në Parlament, ndërsa hidhen shumë hije dyshimi edhe për të djeshmen e me një inteligjencës minimale edhe për të nesërmen”, konstatoi zoti Vangjeli. “Për këtë mund të flitet shumë gjatë dhe njëkohësisht me shumë dëshpërim, pasi nëse flitet për emërimet e tjera të këtij Këshilli, ka një standart të dyfishtë”, shtoi analisti.

Sipas Çipës, “rasti i ish-Prokurores së Përgjithshme përsëritet në jetën institucionale të vendit. Ajo shpërfillje që për arsye të një induksioni politik shpesh nëpërkëmbët investimi më i rëndësishëm i shoqërisë për elitën dhe krerët që grumbullojnë një përvojë. Refuzimi i prerë këto ditë, pasi ka pasur edhe një mbledhje të dikurshme në KLD, ndaj kësaj kërkese të ripërsëritur për t’u përfshirë në sistemin e gjyqësorit shënon një precedent që shpërfill të drejtën për të vijuar karrierën brenda drejtësisë dhe në rastin konkret është me dashje apo pa dashje një eksplozim i qëndrimit politik të KLD-së. Këmbëngulja e Ramës për të vazhduar kërkesën legjitime siç e quajti ajo, siç e mbështet edhe ligji, është një provë tjetër me të cilën do të përballet KLD në një mbledhje të ardhshme”.

“Ish-drejtori i SHISH-it, Bahri Shaqiri, që prej shkarkimit të tij vazhdon të jetë i papunë, në kuptim jo se s’ka me çfarë të merret, por një njeri që ka dijeni për shumë gjëra që kanë ndodhur në këtë vend dhe që shteti edhe sipas ligjit është i detyruar që atë që ai ka mësuar të mos e hedhë në rrugë e ta shpërdorojë, pasi ky njeri mund të bëjë nesër gjjithçka”, ndërhyri në bisedë zoti Vangjeli. “Ka një status, që është i parashikuar në ligj dhe këto dy raste janë identikë. Në raste të tilla duhet të kesh shumë nishan që të dalësh huq, që të mos i emërosh, për të mos thënë që kjo tregon edhe një herë mënyrën e qasjes së sjelljeve të institucioneve edhe ndaj njëri-tjetrit. Në Shqipëri mund të jesh ose lart ose asgjë dhe kjo është e pahijshme e nuk i shërben askujt”.

“Në këtë rast dobësohet institucioni i akuzës, pasi kur ish-kreu i saj nuk mund të ketë të ardhme të punojë në administatë, imagjoni të tjerët”, shtoi Dervishi.

Në mendimin e Zaloshnjes.“Rasti kur nga institucionet e pavarura mund të hiqen ose emërohen në funksion të raporteve politike që ekzistojnë aty ku votohet për këta njerëz, bëhet një gjimnastikë juridike si mund të hiqet nga ai post, gjithmonë në funksion të një interesi politik. Deri tani kemi parë që ka pasur një interes politik qoftë majtas ose djathtas, për çdo emërim ose shkarkim të mundshëm dhe ky është rasti i radhës. Unë mendoj se ne duhet të arrijmë tek ajo pikë që emërimet në institucionet e pavarura nga politika, me të vërtetë të mos ndikohen më nga politika dhe besoj se ky do të jetë kushti final, për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë kurdo që kjo të ndodhë”.

“Kam një tabelë për numrin total të punonjësve në administratë që është 86 500. Ky numër është 1 210 persona më pak se viti i kaluar, nga këta 39 mijë janë në arsim, 13 mijë ka policia, 14 mijë ministria e Mbrojtjes dhe nëse i mbledh, shumica e tyre shkon në 65-70 që s’mund t’i lëvizësh dot. Sikur kjo administratë t’i heqë të gjithë, gjë që s’mund të ndodhë, do të fuste në punë 86 mijë persona, e administata që çon përpara vendin është diku tek 15 mijë, ndaj vendet e punës nuk ti hap dot politika, por t’i hap biznesi. Nëse vendet e punës do i hapte politika, ne atëherë votojmë shtet e administratë elektorale, e kësaj ja kemi parë hajrin. Nëse nuk arrin të kuptohet kjo që biznesi arrin të krijojë vende pune, të cilat nuk i krijon dot me një shkop magjik, atëherë është e kotë. Vendet e punës bëhen me kushte dhe lehtësime e për të krijuar vende pune duhet nxjerrë biznesi larg korrupsionit, duhen ulur taksat, duhen dëgjuar ankesat e tij, duke e lënë jashtë arbitratritetin”, deklaroi zoti Dervishi.

Sipas Lorenc Vangjelit, “6 muaj janë shumë për të treguar se si do të jenë muajt pasardhës, por janë edhe pak për të marrë masat e duhura që të japin vërtet një produkt real. Produkti i parë dhe kryesor i qeverisjes është rikthimi i normalitetit. Kam parasysh distancimin e saj nga biznesi, që sot e shohim që nuk ka frikë, proteston e kërkon atë që konsideron të drejtë në tryeza. Nuk ka më frikë askush të ngrejë gishtin e t’ia tundë kryeministerit e ministrave. Kjo gjë që është kaq normale sa na bën përshtypje se deri dje ishte tërësisht ndryshme. Është krijuar një borxh gjigant për punë të papaguara të biznesit, punë që kanë të bëjnë me ndërtimin e rrugëve dhe në arsim, një borxh i akumuluar sidomos në katër vitet e fundit të qeverisë Berisha.  E atëherë biznesi nuk guxonte as ta ngrinte këtë problem pasi kishte frikë për hakmarrje direkte të politikës. Sot kanë të drejtë të kërkojnë këtë edhe me forcë e qeveria e ka premtuar shlyerjen. Natyrisht, xhepat qeveria i ka bosh e po kërkon një formulë për të çarë këtë zinxhir shkak-pasojë që ndikon në të gjithë vendin, edhe tek biznesi”.

Një ekspert i sondazheve, Zaloshnja i shtoi bisedës në studion e Xhungës edhe disa konstatime që ai ka nxjerrë nga vëzhgimet e kryera prej tij. “Në 5 muaj kam zhvilluar sondazhe dhe në mënyrë të vazhdueshme, në të pestë muajt, rreth 60% e kampionit që njëkohësisht përfaqëson mënyrën si u votua në Qershor, kur pyetet për politikanët, 60% japin mendim pozitiv për Ramën ose Metën. Në këtë 60% është një 15-16% që në mënyrë konsistente, nuk janë optimistë për ekonominë dhe në sondazhin e fundit u bëra kurioz se duke qenë i njëjti kampion, po këta njerëz joopitmistë i pyeta se përse nuk janë dhe arsyeja kryesore ishte që qeveria nuk ka para për të bërë investime.  U bëra kurioz të shoh a ka me të vërtetë para për investime e në Janar, buxheti i shtetit ka dalë sufiçit, jo sepse janë rritur shumë të ardhurat, që janë shtuar me vetëm 5,5 mln dollarë, por nuk janë kryer shpenzime në dy drejtime kryesore që përcepton publiku, sidomos në investime kapitale publike”.

Bojkoti i PD, kërcënim apo realitet?

Pas vendimit të Kuvendit për lirimin nga detyra të Zana Xhukës nga kreu i ILDKP-së, opozita deklaroi se do të rishohë marrëdhënien e saj me parlamentin, duke mos përjashtuar as bojkotin. Kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Edi Paloka e cilësoi vendimin si anti-ligjore dhe që synon vendosjen nën kontrollin e maxhorancës të institucioneve të pavarura të vendit.

Për Alfred Lelën vendimi i Kuvendit ishte në kufijtë e absurditetit, ndërsa tha se edhe nëse do të bëhej realitet, bojkoti i PD nuk mund të jetë i përhershëm: “Ajo që mund të ndodhë është në kufijtë e absurdit dhe i referohem me rrokadën e dy kandidaturave të dikurshme dhe zëvendësimin me një ish-kandidaturë. Në këtë lloj absurdi të ndërmarrë nga shumica qeverisësë ngjan e papërfillshme për shkak të kësaj. Unë uroj që të mos jetë largim i përhershëm nga parlamenti, por të jetë pjesë e mozaikut që e djathta nën drejtimin e Bashës ka formuluar deri më tani, herë-herë duke ikur nga komisionet, parlamenti, protestat në rrugë dhe ankimimet në gjykatë. Nuk besoj që të ketë një bojkot, pavarësisht që ajo që ka ndodhur, ajo është e rëndë”.

Për Lorenc Vangjelin, shkarkimi i zonjës Xhuka nuk është arsye e mjaftueshme për bojkot.

Lorenc Vangjeli: “Javën e kaluar ishim dëshmitatrë të një fitoreje të PD përballë vetes, ku protesta e parë e vërtetë në opozitë ishte paqësore, ishte një provë force e fituar, por mqs në raste të tilla ka një ‘por’ që nuk shkëputet, kam përshtypjen se përgjigjet në politikë duhet të jenë në proporcion. Në rastin konkret është njësoj si të vrasësh miza me top. PD e sotme për të tjera motive, të tjera arsye pretendon të kopjojë opozitarizmin e PS në vjeshtën e 2009 dhe pranverën e 2010, por për cështje krejtësisht të ndryshme. Krahasoni të njëjtin akt për dy shkaqe të ndryshme; PS bojkotoi parlamentin duke kërkuar transparencë për votën, me shkarkimin e një drejtueseje të një institucioni të pavarur. Është njëlloj se PD edhe për arsye të tjera tërësisht politike po kërkon një arsye që të ngrejë kohezionin e saj të brendshëm edhe mbi arsyeje që nëse nuk ekzistojnë t’i shpikin”.

Në pjesën e tretë u fol për rolin e Sali Berishës në PD. Për Alfred Lelën opozita e sotme drejtohet nga Lulzim Basha dhe ky është fakt, ndërsa Lorenc Vangjeli shprehu dyshimet e tij. Analisti tjetër, Lutfi Dervishi tha se për të kuptuar rolin e Berishës mjafton të shihet trajtimi i privilegjuar i tij në salën e Kuvendit.

Top Channel