“SHBA të dërgojë trupa në Ukrainë”

24/04/2014 00:00

James Jeffrey, ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Turqi e Irak, mendon se, me acarimin e situatës në rajonet rusisht-folëse në lindje të Ukrainës dhe grumbullimin e rreth 40,000 trupave ruse në kufi, Moskës i duhet dërguar një mesazh i fortë.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ish-diplomati amerikan argumenton se dërgimi i forcave tokësore do të ishte lëvizja e duhur në këtë rast, si dhe një sinjal i qartë për Vladimir Putin dhe synimet e tij për aneksim territoresh.

“Trupat tokësore kanë një simbolikë dhe një vlerë tjetër, që nuk krahasohet me atë të forcave ajrore apo detare. Siç e pamë në Kosovë, në vitin 1999, pasi Tony Blair kërcënoi me dërgimin e trupave tokësore, vetëm atëherë fushata ajrore e NATO-s përfundoi me sukses. Në rastin e tanishëm të Ukrainës, nëse Rusia vazhdon të kërcënojë vende me pakica të mëdha rusisht-folëse, siç bëri në Krime dhe siç po bën në rajonet lindore të Ukrainës, atëherë ajo duhet ta ketë të qartë se, nëse grumbullon forca të mëdha në kufi, do të përballet me trupat e NATO-s, me trupa amerikanë. E rëndësishme është, që Perëndimi t’i tregojë Rusisë se është i vendosur. Patrullimi me avionë është më mirë se të mos bësh asgjë, por është shumë i lehtë”, tha James Jeffrey, ish-ambasador.

Sipas Jeffrey-t, rreziku që, dërgimi i trupave të tilla në rajon, ta acaronte më tej situatën nuk ekziston. Ato thjesht do t’ia bëjnë të qartë Putin-it se nuk do të lejojmë, që në Europe të rikthehet shekulli i 19 dhe i 20, me idetë e tij të kërcënimit, të kontrollit dhe ndikimit në rajone të caktuara, ide – tha Jeffrey, – që kanë shkaktuar luftra të shumta në të kaluarën.

Top Channel