Rusia, stërvitje të re në kufi

24/04/2014 00:00

Vladimir Putin nuk ka ndërmend të tërhiqet në lidhje me Ukrainën. Moska ka urdhëruar stërvitje të reja ushtarake në kufirin e saj me Ukrainën, në kundërpërgjigje ndaj operacionit të Kievit kundër separatistëve pro-rusë.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, tha se Moska është “detyruar të reagojë”, pasi komandot ukrainase mësynë bastionin e separatistëve, në Sloviansk.

I cituar nga agjencia e lajmeve Interfax, Shoigu është shprehur: “Nëse kjo makinë ushtarake nuk ndalet, atëherë do të kemi një numër më të madh viktimash dhe të plagosurish. Jemi të detyruar të reagojmë ndaj një zhvillimi kaq të rëndësishëm të situatës”.

Zëdhënësi i presidentit rus, Vladimir Putin, ka deklaruar gjatë së enjtes se ngjarjet në Ukrainë, ku forcat qeveritare kanë ndërmarrë operacione ndaj separatistëve, ngrejnë pyetje serioze mbi legjitimitetin e zgjedhjeve presidenciale të Ukrainës, të përcaktuara për më 25 Maj.

“Nuk ka aspak dyshim se zhvillime të tilla, që ngjasojnë me veprime kriminale të atyre në Kiev, ngrenë dyshime tepër serioze mbi legjitimitetin e zgjedhjeve të caktuara në Maj”, tha zëdhënësi i Putin, Dmitry Peskov.

Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi më herët për pasoja, nëse Kievi përdor ushtrinë kundër popullit të tij. Duke folur në televizionin rus, pas publikimit të lajmit për operacionin e trupave ukrainase në Sloviansk, Putin tha: “Nëse regjimi në Kiev ka nisur të përdorë ushtrinë kundër popullsisë brenda vendit, kjo pa mëdyshje përbën një krim shumë serioz”.

Turchinov: Rusia të tërheqë trupat, mjaft kërcënimeve

Presidenti i përkohshëm i Ukrainës, Oleksander Turchinov, bëri thirrje ndaj Rusisë, të enjten, të tërheqë mbrapsht trupat e vendosur pranë kufirit ukrainas, të ndalë ndërhyrjen në çështjet e brendshme të Ukrainës dhe t’i japë fund “kërcënimeve të përhershme dhe shantazheve”.

Turchinov, i cili foli në media në një adresim të shkurtër ndaj kombit të tij, reagoi pasi Rusia bëri të ditur se kishte nisur stërvitje ushtarake pranë kufirit ukrainas, në kundërpërgjigje të përshkallëzimit të situatës nga Ukraina.

Duke thënë se Rusia kishte “përqendruar demonstrativisht forcat e armatosura” në kufi, Turchinov shtoi: “Nuk do të dorëzohemi ndaj kërcënimeve të terroristëve, por do të ecim përpara duke marrë masat e nevojshme për të mbrojtur jetët e qytetarëve tanë. Kërkojmë nga Rusia t’i japë fund ndërhyrjes së saj në çështjet e brendshme të Ukrainës, t’i japë fund kërcënimeve dhe shantazheve, si dhe të tërheqë trupat e saj nga kufiri lindor i vendit tonë”.

Top Channel