Izraeli pezullon bisedimet me Palestinën

24/04/2014 00:00

Izraeli ka pezulluar bisedimet e paqes me palestinezët, vendim i marrë të enjten ky, si kundërpërgjigje ndaj marrëveshjes së unitetit të presidentit Mahmoud Abbas me islamikët e Hamas-it.

“Kabineti i sigurisë vendosi unanimisht këtë mbrëmje, se qeveria e Izraelit nuk do të zhvillojë më negociata me një qeveri palestineze, e cila mbështetet nga Hamas, një organizatë terroriste që bën thirrje për shkatërrimin e Izraelit”, thuhej në një deklaratë zyrtare të publikuar pas takimit 6 orësh.

I pyetur për të qartësuar nëse bisedimet janë ngrirë tashmë, apo do të anulohen pasi të formohet qeveria e unitetit të palestinezëve, një zyrtar i lartë izraelit tha se “ato janë aktualisht të pezulluara”.

Hamas-i, i listuar nga Shtetet e Bashkuara si një organizatë terroriste, njoftoi paktin e unitetit me Organizatën për Çlirimin e Palestinës, të drejtuar nga Abbas, ditën e mërkurë. Hamas fitoi zgjedhjet e fundit parlamentare të palestinezëve në 2006-n, e më pas pushtoi Rripin e Gazës, duke ia marrë forcave besnike të Abbas-it, të mbështetur nga Perëndimi, në 2007-n.

Marrëveshja mes tyre dikton formimin e një qeverie uniteti brenda 5 javësh dhe 6 muaj pas kësaj të mbahen zgjedhjet kombëtare.

Zyrtari izraelit u duk sikur la ende të hapur mundësinë që bisedimet të rifillojnë, nëse qeveria e ardhshme palestineze me pjesëmarrjen e Hamas-it do të pranojë kushtet e ndërkombëtarëve, të cilat grupi islamik i ka refuzuar prej kohësh.

Negociatat aktuale priteshin të skadonin më 29 Prill dhe Shtetet e Bashkuara janë përpjekur prej javësh për të siguruar shtyrjen e këtij afati. Sponsorët ndërkombëtarë të paqes mes Izraelit dhe Palestinës, i kanë kërkuar Hamas-it të njohë Izraelin, të heqë dorë nga dhuna dhe të pranojnë marrëveshjet e përkohshme ekzistuese të paqes.

Deklarata e lëshuar nga zyra e Netanyahu-t bën të ditur se Izraeli do t’i përgjigjet me hapa të tjera shtesë, por të paspecifikuara, atyre që ai i përshkruan si “veprime të njëanshme” nga Autoriteti Palestinez i Abbas-it, ndoshta duke nënkuptuar sanksione ekonomike nga Izraeli.

Top Channel