BE, gati të bllokojë bankat e Krimesë

24/04/2014 00:00

Bashkimi Europian mund të bllokojë transaksionet me institucionet financiare në Krime, si pjesë e përgjigjes së saj ndaj aneksimit të gadishullit ukrainas nga Rusia, muajin e kaluar, tregon një dokument i BE-së i siguruar nga Reuters.

Liderët e BE-së e konsiderojnë pushtimin e Krimesë si të jashtëligjshme dhe kanë kërkuar ndaj ekzekutivit të BE-së, Komisioni Europian, të propozojë kufizime ekonomike, tregtare dhe financiare ndaj Krimesë, madje për t’u implementuar sa më shpejt të jetë e mundur.

Këto propozime janë të ndara nga diskutimet e BE-së për përforcimin e sanksioneve kundër Rusisë, nëse Moska nuk kontribuon siç duhet në uljen e tensioneve në lindje të Ukrainës, mes separatistëve pro-rusë dhe qeverisë së Kievit.

Dokumenti diktonte edhe disa prej vështirësive praktike që ndikojnë në implementimin e sanksioneve, veçanërisht ndaj Krimesë, që tashmë është ‘de facto’ pjesë e Rusisë.

“Duhen gjetur zgjidhje, të cilat në të njëjtën kohë të mbështesin integritetin territorial të Ukrainës, nuk njohin aneksimin ilegal të Krimesë, të mbrojnë interesat e Europës në rajon dhe të mos penalizojnë popullin e Krimesë”, bënte të ditur Komisioni në dokumentin e përgatitur për qeveritë e BE-së, për t’u marrë në konsideratë.

Një mënyrë për të shkurajuar, apo për të penaziluar institutet financiare në Krime, të cilat bashkëpunuan me aneksimin, është ndalimi i lëvizjeve të kapitalit mes atyre bankave dhe BE-së, si dhe të ndalohen shtetasit europianë apo bizneset të kryejnë transaksione me ta.

” E njëjta gjë vlen edhe për parandalimin e investimeve nga investitorët krimeanë (kompani me vendndodhje apo të regjistruara në Krime) drejt BE-së, apo e kundërta e investitorëve europianë drejt Krimesë”, thuhej në dokument.

Propozimet e Komisionit janë ende duke u shqyrtuar dhe vendimi për t’i ndjekur ato pritet të merret nga ministrat e Jashtëm të BE-së, takimi i ardhshëm i të cilëve është më 12 Maj.

Gjermania bllokon 7 mln USD eksporte mbrojtjeje në Rusi

Gjermania ka pezulluar rreth 5 milionë euro pajisje mbrojtjeje për t’u eksportuar drejt Rusisë, për shkak të veprimeve të fundit të Moskës në Ukrainë, si dhe do të përgjysmojë transferimin e të mirave aktualisht të licencuara në “raste kritike”, njofton Ministria gjermane e Ekonomisë.

Ministria zbuloi këto të dhëna në përgjigje të një pyetjeje nga opozitarët e Partisë së Gjelbër, gjë që u bë e ditur këtë të enjte.

Sipas Ministrisë, 69 aplikime eksporti janë prekur nga ky vendim. Fillimisht, Berlini njoftoi pezullimin e eksporteve të mbrojtjes drejt Rusisë muajin e kaluar, por nuk dha detaje të mëtejshme.

“Për shkak të rrethanave aktuale politike, asnjë licencë për të eksportuar mallra mbrojtjeje drejt Rusisë nuk do të jepet. Për më tepër, Gjermania ka nisur edhe një studim, se çfarë do të bëhet me licencat e dhëna për eksport në të kaluarën”, tha një burim i Ministrisë.

“Në raste kritike, Gjermania do të punojë për t’u siguruar se asnjë mall i tillë nuk do të eksportohet”, shtoi burimi, pa u identifikuar.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka dënuar qëndrimin e Moskës ndaj Ukrainës dhe i është bashkuar liderëve të tjerë europianë, por edhe Shteteve të Bashkuara, në vendosjen e ngrirjes së aseteve dhe pezullimin e vizave për rusët. Por, pjesë të komunitetit të biznesit gjerman kanë paralajmëruar kundër vendosjes së sanksioneve më të ashpra ekonomike.

Ministria refuzoi të identifikonte prodhuesit gjermanë të përfshirë, por përmendi vetëm kategoritë zyrtare të mallrave të prekura nga ky vendim: pistoleta, municione, pajisje shënjestrimi, autoblinda apo pjesë tanqesh, si dhe agjentë të tipit gaz lotsjellës, eksplozivë, pajisje ushtarake elektrike, sensorë infra të kuqe, apo programe ushtarake.

Top Channel