Thellohet hendeku Qeveri-President

23/04/2014 00:00

Një tjetër përplasje mes qeverisë dhe Presidencës pritet të hapë sërish debate të forta politike. Hendeku mes Presidentit të Republikës dhe Ministrisë së Mbrojtjes u thellua edhe më tej pas refuzimit të fundit të Presidentit për kandidaturën e Arian Zaimit si shef të Zyrës së Përfaqësimit të Shqipërisë në NATO.

Në përgjigjen që kreu i shtetit i ktheu ministrisë për këtë kandidaturë thuhet se ajo nuk është në përputhje me standardet që kërkon Presidenti. Nga ana e saj Ministria e Mbrojtjes është e bindur se ka përzgjedhur një kandidaturë të duhur për vendin përfaqësuesit ushtarak.

Po përse ka lindur ky konflikt? Gjeneral Major Arian Zaimi ka dalë në rezervë me dekretin e ish-presidentit Bamir Topi në dhjetor të 2011 pa ndonjë motivacion. Në atë kohë gjenerali u largua 5 vjet para kohës ligjore të qëndrimit në gradë.

Si gjeneral major ai duhet të qëndrojë 35 vjet në shërbimin ushtarak dhe Presidenti i mëparshëm e nxorri atë në lirim me 30 vjet e 4 muaj. Gjenerali iu drejtua më pas gjykatës ku ka fituar të drejtën e gradës deri më tani në të trija shkallët e gjykimit. Për gjeneralin zyra përmbarimore ka nxjerrë edhe një urdhër që referuar vendimeve të gjykatave kërkon kthimin në detyrën që i takon si gjeneral major, si edhe trajtimin me të njëjtën pagë.

Aktualisht Gjeneral Major Zaimi kryen detyrën e këshilltarit ushtarak të Ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Kjo është hera e dytë që institucioni i presidencës përplaset me Ministrinë e Mbrojtjes për kreun e misionit ushtarak në NATO. Më parë edhe kërkesa për largimin e Admiral Gërvenit nga kjo detyrë shkaktoi debate publike mes dy institucioneve.

Arian Zaimi ka shërbyer edhe vite më parë në misionin ushtarak shqiptar në NATO, ndërkohë që në vitin 2007 ai ishte një ndër kandidaturat e mundshme për President.

Top Channel