SHBA, të zhgënjyer për unifikimin palestinez

23/04/2014 00:00

Shtetet e Bashkuara kanë reguar të mërkurën, duke shprehur “zhgënjimin e tyre” për arritjen e paktit të bashkimit mes grupit të islamikëve me bazë në Gaza, Hamas, si dhe organizatës së presidentit Mahmoud Abbas, PLO, duke shtuar se tashmë do të komplikohen seriozisht përpjekjet për paqe në Lindjen e Mesme.

“Jemi të zhgënjyes jashtë mase nga ky njoftim, pikërisht kur bëhet fjalë që vjen në momentet e fundit të mundësisë së arritjes së marrëveshjes së paqes”, deklaroi zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Jen Psaki, në një njoftim për shtyp.

“Ky veprim mund të komplikojë seriozisht përpjekjet tona për paqen. Dhe, jo vetëm tonat, por edhe përpjekjet e të gjitha palëve për të shtyrë më tej negociatat mes tyre”. Psaki tha se zyrtarët amerikanë kanë shprehur shqetësimet e tyre ndaj palestinezëve.

“Është e vështirë të shohësh se si mund të ulet Izraeli në negociata me një qeveri që nuk beson në të drejtën e tyre për ekzistencë”, tha ajo.

Lëvizja e palestinezëve, e cila vjen pas një kohe të gjatë të përpjekjeve të dështuara për bashkim, pas 7 vjetësh përçarje të brendshme, pritet të krijojë një qeveri uniteti brenda 5 javëve dhe menjëherë pas këtij momenti të zyrtarizohet mbajtja e zgjedhjeve kombëtare 6 muaj më vonë.

Izraeli bëri të ditur se me këtë shpallje, Abbas ka zgjedhur Hamas-in përpara marrëveshjes së paqes, si dhe anuloi seancën e radhës së bisedimeve të ndërmjetësuara nga SHBA me palestinezët, që ishte programuar më natën e së mërkurës në Jeruzalem.

Mediat izraelite bëjnë të ditur se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, mund të zhvillojë një mbledhje emergjente të kabinetit të tij të sigurisë, ditën e enjte, për të diskutuar mbi përgjigjen ndaj kësaj nisme.

Së bashku me SHBA-të dhe Bashkimin Europian, izraelitët e konsiderojnë Hamas-in një organizatë terroriste dhe thonë se përpjekjet e Abbas për t’u unifikuar me grupin tregojnë se ai nuk është serioz në lidhje me negociatat për paqe.

Bisedimet, të cilat synojnë t’i japin fund konfliktit prej disa dekadash me palestinezët dhe njohjen e një shteti palestinez në Bregun Perëndimor dhe Gaza, priten të përfundojnë më 29 Prill.

Top Channel