Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka akuzuar ministrin e Drejtësisë Nasip
Naço se po pengon funksionimin e Gjykatës Administrative, për shkak të
moscaktimit të ndihmësve ligjorë në këto trupa gjyqësore.

“Këshilli i Lartë i Drejtësisë si autoriteti shtetëror ligjërisht përgjegjës për mbarëvajtjen dhe kontrollin e veprimtarisë së gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të gjykatave të apelit, konstaton me shqetësim faktin e ngarkesës së madhe të punës në gjykatat administrative në të gjithë vendin dhe në mënyrë të veçantë të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe Gjykatës Administrative të Apelit.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në mënyrë të përsëritur, i bën thirrje Ministrit të Drejtësisë, që në zbatim të kompetencave të tij ligjore të parashikuara në nenin 6 të ligjit nr.49/2012, të përcaktojë sa më shpejt numrin e ndihmësve ligjorë në këto trupa gjyqësore dhe të mundësojë fillimin e funksionimit të tyre. Mospengimi i funksionimit të ndihmësve ligjorë në gjykatat administrative, do të ndihmojë ndjeshëm trupat gjyqësore gjatë ushtrimit të veprimtarisë e tyre, do të shërbejë në balancimin e ngarkesës së punës në gjykata, në rritjen e efikasitetit dhe të përgjegjshmërisë në dhënien e drejtësisë. Në këtë mënyrë, gjykatat administrative do të jenë në lartësinë e pritshmërive të qytetarëve, në lartësinë e arsyeve për të cilat ligjvënësi i krijoi”, – thuhet në njoftimin për shtyp të KLD-së.

Top Channel