Britani, tkurret shporta e ushqimeve

23/04/2014 00:00

Çmimet e larta detyrojne mbi një të tretën e britanikëve të mos ushqehen në mënyrë të shëndetshme. Nga anketimi i mbi 2.500 të rriturve, Fondacioni British Heart zbuloi se 39% e tyre i sakrifikojnë përfitimet e shëndetit përpara kostos kur dalin për të blerë ushqim.

Një në katër të intervistuar pohuan se javën që shkoi nuk kishin marrë as edhe një racion të vetëm perimesh apo frutash të freskëta. Jo se nuk duan të ushqehen shëndetshëm, por kostoja e lartë nuk ua lejon.

Fondacioni mendon se edhe me një buxhet të vogël, ushqimi i mirë për shëndetin nuk është i pamundur, por njerëzit gjithmonë e më shumë sipas tij, po preferojnë artikujt ushqimorë të lirë dhe konvencionalë.

Një pjesë e madhe përdorin ushqime gjysmë të gatshme, edhe pse janë plotësisht të vetëdijshëm për nivelin e lartë të yndyrës dhe kripës që përmbajnë. Dietologët e cilësojnë të ushqyerin e shendetshëm si një prej sfidave më të mëdha të kohës sonë.

Me rritjen e kostos, shporta e përjavshme e ushqimeve është kthyer në shqetësim real, pavarësisht dëshirës së mirë për të përdorur sa më shumë ushqime të freskëta e me vlerë për organizmin.

Top Channel