Tempulli i tensioneve

22/04/2014 00:00

Rreth 150 ligjvënës japonezë vizituan tempullin Yasukuni, një lëvizje që përshkallëzon tensionet me fqinjët e Tokios, pavarësisht se kryeministri Shinzo Abe u bë pjesë e delegacionit, vetëm me një mesazh simbolik.

Tempulli nderon të rënët japonezë në luftëra, përfshirë këtu edhe ata të dënuar për krime lufte pas Luftës së Dytë Botërore. Vizita e paraprirë nga një festival pranveror i përvitshëm, mbërrin një ditë para se në Tokio të ndalojë presidenti amerikan, Barack Obama dhe ka ngjallur reagimin e fqinjëve të Japonisë duke rritur tensionet gjeopolitike dhe historike në rajon.

Ministria e Jashtme kineze reagoi duke e cilësuar mesazhin e Abe-s dhe vizitën e ligjvënësve japonezë si një aset negativ i Japonisë që reflekton qasjen e gabuar të kabinetit aktual në të vërtetat historike.

Ministria e Jashtme koreano-jugore reagoi gjithashtu duke deklaruar se me nderimet në këtë tempull, kryeministri Shinzo Abe tregoi nostalgjinë për kolonializmin dhe agresionin japonez.

Zyrtarët japonezë vizitojnë tempullin cdo vit në stinën e pranverës dhe në përvjetorin e dorëzimit të Japonisë në Luftën e Dytë Botërore.

“Kjo vizitë në këtë tempull është një vizitë personale e imja dhe nuk besoj që do të ketë ndonjë ndikim në vizitën e presidentit amerikan, Barack Obama”, deklaroi Ministri i Brendshëm japonez, Yoshitaka Shindo.

Megjithatë, gjithcka e që lidhet me këtë tempull politizohet shpejt në rajon. Kina dhe Koreja e Jugut e shohin këtë tempull si simbol të agresionit japonez dhe akuzojnë Tokion se ka dështuar të kërkojë ndjesë për krimet e luftës.

Kur kryeministri Shinzo Abe vizitoi tempullin në 26 dhjetor të vitit të kaluar, ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tokio shprehu keqardhjen sepse kjo vizitë do të përshkallëzonte tensionet me fqinjët e Japonisë.

Tempulli Yasukuni është ndërtuar në vitin 1869 nga Perandori Meiji. Në të prehen shpirtërat e më shumë se 2.5 milion japonezëve të vrarë në luftë. Mes tyre ndodhet edhe hiri i qindra të dënuarve për krime lufte, përfshirë këtu edhe famëkeqi tek fqinjët e Japonisë, Hideki Tojo.

Top Channel