SHBA, vrasje në sallën e gjyqit

22/04/2014 00:00

Një person i akuzuar për vrasje dhe agresion u qëllua dhe u vra në një gjykatë në Solt Lejk Siti të Shteteve të Bashkuara, pasi tentoi të sulmonte një dëshmitar që po rrëfehej.

Siale Angilau, 25 vjeç, vdiq në spital pasi u qëllua disa herë nga një sherif amerikan përpara jurisë në selinë e gjykatës federale. Zyra lokale e FBI-së bëri të ditur se i pandehuri u vërsul në mënyrë agresive ndaj dëshmitarit, për ta goditur me një stilolaps.

Angilau ishte i fundit i 17 anëtarëve të një bande, procesi ndaj të cilës ishte hapur në vitin 2010. Procesi përmbante 29 akuza, përfshirë ato për agresion, komplot, vjedhje dhe përdorim armësh.

Dëshmitari në sallën e gjyqit nuk u identifikua. Ai dukej të ishte rreth 25 vjeç dhe po dëshmonte për aktivitetet kriminale të bandës. Gjyqtarja e rajonit, Tena Campbell ndërpreu gjyqin duke argumentuar në urdhërin e saj se anëtarët e jurisë ishin të tronditur nga ngjarja.

Ndërsa avokati i të pandehurit refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve teksa dilte nga gjykata. Viktima ishte transferuar në mbrojtje federale javën e kaluar, pasi kishte kryer dënimin në një burg në Jutah për akuza të tjera.

Gjykata federale në Solt Lejk Siti ishte hapur vetëm një javë më parë. Ajo është pajisur me masa të shumta sigurie, përfshirë xhamat anti-plumb në disa salla të saj dhe në korridorin që përdoret si hyrje nga gjyqtarët, të pandehurit dhe publiku. Ndërtesa u mbyll përkohësisht pas të shtënave dhe më pas u hap sërish.

Top Channel