Hetimi parlamentar për drogën

22/04/2014 00:00

Partia Demokratike ndryshoi qëndrim për Komisionin Hetimor të kërkuar
nga socialistët pas akuzave të opozitës për përdorimin e infrastrukturës
ushtarake për trafikimin e lëndëve narkotike.

Demokratët do të marrin pjesë në këtë Komision, edhe sikur socialistët të mos pranojnë kërkesën e opozitës për zgjerimin e objektit hetimor, që sic e cilësoi të hënën kreu i demokratëve, synonte hetimin e lajmësit dhe jo të trafikut të drogës.

Lulzim Basha, kryetar i PD-së: Le të tentojnë të hetojnë, gjoja në emër të motiveve, pse janë shkruar e pse janë dërguar këto informacione. Kështu po duan të marrin rolin e prokurorëve politikë të kohës së komunizmit për të hetuar fjalën dhe parlamentarizmin, nuk u mbetet tjetër veçse të propozojnë edhe rikthimin e nenit famëkeq 55 të agjitacionit dhe propagandës!

Edi Paloka, Kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së: Sigurisht që ne do të marrim pjesë dhe do të këmbëngulim që ky hetim të zgjerohet. Edhe në seancë, por edhe në Komision ne do të kërkojme të zgjerohet objekti dhe shqiptarët të marrin informacion për trafikun e drogës dhe sa dhe si janë të implikuar institucionet shtetërore në këtë trafik, nëse janë të implikuar.

Pavarësisht këtyre dy qëndrimeve të ndryshme brenda më pak se 24 orëve, demokratët e panë më të arsyeshme të thonë se mediat kanë keqkuptuar qëndrimin e opozitës, kur një ditë më parë, raportuan se opozita për shkak se si socialistët kishin formuluar objektin e hetimit, nuk do të bëhej pjesë e këtij Komisioni Hetimor.

“Meqë disa media, po e quaj që u keqkuptuan dje me qëndrimin e Partisë Demokratike, besoj se qëndrimi ynë në lidhje me këtë çështje u bë i qartë nga Kryetari i Partisë Demokratike, Basha i cili tha se ne do t’i shkojmë deri në fund transparencës së kësaj çështje”, tha kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka.

Në fakt, në mbledhjen e grupit demokrat, zoti Basha kishte folur për një mënyrë krejt tjetër të transparencës parlamentare.

“Tani beteja jonë jetike për transparencën e trafikut të lëndëve narkotike do të vazhdojë nga një stad i ri, dhe do të hedhë hapin tjetër, atë të njohjes me qëndrimin e mbajtur nga kjo qeveri për verifikimin e informacioneve dhe për masat e marra. Për ketë arsye deputetët tanë e kanë thirrur prapë në Komisionin  e Sigurisë ministren Kodheli, për ta pyetur e për të diskutuar, për qëndrimin e mbajtur ndaj informacioneve për trafikim të lëndëve narkotike duke shfrytëzuar asete  logjistike  të Forcave të Armatosura”, deklaroi Basha.

Të enjten pritet që parlamenti të vendosë nëse do ta ngrejë apo jo Komisionin Hetimor të kërkuar nga socialistët dhe nëse do të pranojë apo jo ndryshimin e objektit të hetimit, sic kërkojnë demokratët. Ky vendim do t’i japë fund edhe keqkuptimeve,     që në këtë rast, më shumë se sa keqkutim mediatik, duket të jetë keqfunksionim politik i opozitës. 

Top Channel