Biden paralajmëron Rusinë me izolim

22/04/2014 00:00

Zv/presidenti amerikan Joe Biden tha se “Rusia duhet të mos flasë, por të veprojë shpejt për të zgjidhur krizën në Ukrainë”.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, me kryeministrin e përkohshëm ukrainas Arseniy Yatsenyuk, Biden paralajmëroi Moskën se “sjelljet e mëtejshme provokuese do të sjellin izolim më të madh”, si dhe i kërkoi “t’i japë fund mbështetjes për militantët pro-rusë në lindje të Ukrainës”.

Më herët, duke iu drejtuar deputetëve ukrainas në Parlament, Joe Biden tha se SHBA janë në krah të udhëheqësve dhe kundër kërcënimeve poshtëruese, duke iu referuar Rusisë. Zv/presidenti amerikan u kërkoi autoriteteve të luftojnë korrupsionin, të cilin ai e cilësoi endemik në Ukrainë.

Biden tha se “SHBA do t’i japin një ndihmë shtesë prej 50 milionë dollarësh qeverisë ukrainase, për ta ndihmuar në reformat politike dhe ekonomike”.

Të hënën, gjatë një bisede telefonike Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, fajësuan njëri-tjetrin për krizën në Ukrainë.

Uashingtoni i ka gati planet për t’i vendosur të tjera sanksione Rusisë, nëse nuk angazhohet për të zbatuar marrëveshjen e arritur në Gjenevë. Departamenti amerikan i Shtetit bëri publike disa foto të ushtarëve në lindje të Ukrainës, ku disa prej luftëtarëve – siç dallohet prej tyre – janë forca speciale ruse.

Ndërkohë, u zhvilluan tre ceremonitë e varrimit të tre personave që qëlluan të dielën, gjatë përleshjes së armatosur në afërsi të Slovianskut. Rrethanat e ngjarjes mbeten të paqarta.

Top Channel