Topi: Akuzat e PD cënojnë ushtrinë

21/04/2014 00:00

Ish-presidenti Bamir Topi deklaroi se akuzat e opozitës ndaj Forcave të Armatosura cënojnë rëndë atë që është krenaria jonë kombëtare, dhe bëhet vetëm për përfitime politike.

Nga asambleja e FRD-së, Topi i apeloi organeve të drejtësisë që të hetojnë me objektivitet përgjegjshmërinë e deklaratave të opozitës.

“Ai që ka bërë këtë akuzë, nëse Shqipëria do kishte një shtet normal si një vend perëndimor, duhet ta ketë menduar mirë fatin e vetë politik e juridik. Me shumë trishtim informacioni qarkullon në vendet anëtare të NATO-s, për përfshirjen e ushtrisë në trafikun e drogës”, deklaroi Topi.

Kreu i FRD-së theksoi se Parlamenti është shndërruar në një institucion të gallatës, duke e parë si përgjegjësi e të gjithëve faktin që politikanë përgjegjës për këtë gjendje të institucioneve vijojnë të lirë ta tërheqin sërish në këto nivele vendin, duke mos u ndëshkuar për ato që i kanë bërë.

“Në rast se dikush ka aluçionacione duhet izoluar, sepse nuk është problemi se i krijon ato për veten dhe rrethin e tij, i krijon për të gjithë. Gjatë tranzicionit Shqipëria ka kaluar shumë situata traumatike. Aktorët politikë që i kanë shkaktuar janë ende këtu, gati për rrëmuja të reja. Kanë bërë ç’kanë bërë, kanë dhunuar apo jo, askush nuk ka frikë nga ligji”, nënvizoi Topi.

Top Channel