Heroina 22-vjeçare e tragetit të mbytur korean

21/04/2014 00:00

Sa më shumë zbehen shpresat për të mbijetuar në tragetin e përmbysur koreano-jugor, aq më shumë zgjatet lista e akuzave për anëtarët e ekuipazhit të Sewol-it, ashtu siç shtohet zemërimi e dhimbja e familjarëve.

Por, të paktën një person është përjashtuar nga stuhia e urrejtjes: 22-vjeçarja Park Jee Young, e cila, siç rrëfejnë ata që i shpëtuan fatkeqësisë, i ndihmoi të largoheshin nga anija e vdekjes dhe shpërndau jelekë shpëtimi për gjimnazistët, teksa trageti fundosej.

Kur jelekët mbaruan, vajza vrapoi në korridoret që mbusheshin me ujë për të marrë të tjera. Por, vet nuk veshi asnjë.

“Anëtarët e ekuipazhit duhet të dalin të fundit, – u kishte thënë të rinjve, që sot i detyrohen jetën, – sepse më parë duhet të shpëtojnë të gjithë të tjerët”.

Park Jee Young është një prej 87 personave, që mbetën viktima të incidentit të rëndë të disa ditëve më parë. 215 vetë mbeten të zhdukur.

Korridori, që çon drejt sallës së vogël përkujtimore të rregulluar për të, është i mbushur me buqeta lulesh dhe mesazhe nderimi. “Shpirti yt fisnik nuk do të harrohet kurrë”, shkruhet në njërin prej tyre. “Sakrifica jote do të kujtohet përgjithmonë”, thotë një tjetër, ndërsa të shumtë janë ata, që kanë nisur ta quajnë vajzën “heroine”.

Një peticion online po e nxit qeverinë t’i japë çmimin e “samaritanes së mirë”. Të afërmit tregojnë se Park i kishte lënë përgjysmë studimet e larta, për të ndihmuar familjen pas vdekjes së të atit. Pranë kompanisë detare, ajo ishte punësuar në 2012-n dhe përpara 6 muajsh ishte transferuar nga një anije më e vogël te Sewol-i, për shkak të performancës në punë.

Top Channel