Boston, nderohen viktimat e maratonës

21/04/2014 00:00

Garuesit në maratonën e Bostonit mbajtën një moment heshtje paranisjes së garës, në nder të personave të vrarë dhe të plagosur në sulmin me bombë vitin e kaluar.

Rreth 36 mijë persona po marrin pjesë në garë, 9 mijë më shumë se normalja, ndërsa 500 mijë të tjerë pritet ta ndjekin atë si spektatorë.

Autoritetet kanë ndërmarrë një seri masash sigurie, që përfshijnë ndalimin e mbajtjes së çantave të shpinës dhe vendosjen e skanerave pranë pikave të kontrollit.

Në garën e vitit të kaluar dy bomba shpërthyen në afërsi të vijës së finishit, duke vrarë tre persona dhe plagosur 260 të tjerë.

Korrespondenti i BBC në Boston thotë se kurrë më parë në një maratonë nuk ka pasur kaq shumë masa sigurie.

Mbrojtja e rrugës prej 42 kilometrash ka përfshirë një mobilizim masiv të forcave të rendit, përfshirë këtu njësi policie, specialistë të eksplozivëve dhe skuadra speciale SWAT nga shtete të tjera.

Departamenti i policisë së Bostonit ka ngritur gjithashtu 8 mijë barrikada metalike, 1.200 më shumë se vitin e kaluar.

Guvernatori i Masaçusetsit, Deval Patrick tha për televizionin CBS të dielën se, kishte kërkuar masa sigurie shtesë në mënyrë që të garantohet një atmosferë “shumë e sigurtë”.

Garues të shumtë dhe familjet e tyre qëndruan për një minutë në heshtje në vijën e finishit, duke shprehur vendosmërinë për të marrë pjesë në garë.

“Njerëzit e këqinj nuk do të na pengojnë të marrim pjesë në këtë maratonë. Është gjë e mirë që jemi mbledhur sërish për të garuar këtu”, tha një prej tyre për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel