Irani ka dënuar një vendim të Shteteve të Bashkuara për të konfiskuar një qiellgërvishtëse (gradaçelë) në Manhattan, e cila i përkiste një organizate jo-fitimprurëse të lidhur, sipas akuzave, me qeverinë e Teheranit.
Ndërtesa 36-katëshe zotërohet nga Fondacioni Alavi, një qendër kulturore islamike persiane. Irani bëri të ditur se konfiskimi i saj ishte i jashtëligjshëm dhe shkel lirinë fetare.
Të enjten, Departamenti amerikan i Drejtësisë pranoi të shpërndante të ardhurat prej shitjes së ndërtesës kundrejt viktimave të sulmeve të ndërmarra nga militantë të mbështetur prej Iranit.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme iraniane, Marzieh Afkham, tha të shtunën se “konfiskimi i pronave të një organizate të pavarur bamirëse ngre dyshime mbi besueshmërinë e drejtësisë amerikane”.
Në një proces gjyqësor të 2009-s, zyra e Prokurorit amerikan të Manhattan-it bëri të ditur se Fondacioni Alavi kontrollohej nga qeveria iraniane, një akuzë e mohuar prej Teheranit.
Vitin e kaluar, një gjykatë fedeale vendosi që qiellgërvishtësja duhej të konfiskohej, për shkak të “fshehjes së aseteve iraniane” në shkelje të sanksioneve amerikane.
Grindja e fundit vjen pasi presidenti amerikan, Barack Obama, nënshkroi të premten një ligj që do t’i ndalojë diplomatit iranian Hamid Aboutalebi të shërbejë si ambasador i Iranit në OKB, për shkak të rolit të tij në krizën e pengjeve në Teheran gjatë viteve 1979-’81.
Top Channel