Ukraina ndal operacionin për Pashkë

19/04/2014 00:00

Autoritetet e përkohëshme ukrainase njoftuan pezullimin e operacionit anti-terror në Lindje të vendit për shkak të Pashkëve.

Meshat dhe ceremonitë për ringjalljen e Krishtit nisin mesnatën mes së shtunës dhe të dielës, ndërkohë që të premten janë pasuar me të tjera mesha.

Megjithatë, Ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Deshchytsia tha për BBC se operacioni kundër separatistëve pro-rusë do të rinisë nëse ata sulmojnë godinat qeveritare. Separatistët në disa rajone po refuzojnë marrëveshjen e arritur në Gjenevë mes Shteteve të Bashkuara, Rusisë, BE-së dhe Ukrainës për uljen e tensioneve.

Lidhur me pretendimet e separatistëve se autoritetet e reja ukrainase janë të jashtëligjshme, kryediplomati ukrainas tha se ato nuk qëndrojnë dhe se qeveria e re përfaqëson interesat e pjesës më të madhe të popullit.

Më herët Shtetet e Bashkuara kërcënuan Rusinë për sanksione më të ashpra ekonomike në rast mosrespektimi të marrëveshjeve të reja të arritura gjatë se enjtes në Gjenevë. Kremlini reagoi menjëherë duke akuzuar SHBA-të se po e trajtojnë Moskën si të ishte një “nxënës fajtor”.

Susan Rice, këshilltarja e Presidentit Barack Obama tha në një deklarata shtypi në Shtëpinë e Bardhë se SHBA-të dhe Perëndimi do të marrin menjëherë masa për sanksione shtesë në rast mos përmbushje të detyrimeve nga marrëveshja e arritur.

“Në rast përshkallëzimi të situatës në Ukrainë si edhe të lëvizje të trupave nga Moska, atëherë kjo do të kishte kosto të lartë për Rusinë pasi sanksionet do të godisnin sektorë shumë të rëndësishëm të Rusisë”, deklaroi Susan Rice.

Duke iu drejtuar Parlamentit të premten Kryeministri i përkohshëm i Ukrainës, Arsenji Jacenjuk tha se është hartuar projektligji i amnistisë për ata që do të dorëzojnë armët dhe do të dalin nga ndërtesat qeveritare”.

Bashkë me presidentin, Oleksander Turcinov bënë thirrje për unitetin kombëtar dhe premtuan të përmbushin disa prej kërkesave të protestuesve në lindje të vendit.

Gjithashtu, ata u zotuan se do të mbështesin ndryshimet kushtetuese, përfshirë edhe dhënien e më shumë kompetencave këshillave lokale, si dhe për gjuhën, një prej kërkesave kyçe të rusishtfolësve.

Top Channel