“Tregu i sigurimeve, të ndërhyjë Kuvendi”

19/04/2014 00:00

Deputeti Demokrat Sherefedin Shehu mendon se parlamenti duhet të angazhohet drejtpërdrejtë për të mbrojtur konsumatorët në tregun e sigurimeve duke diktuar raportin e dëmëve që duhet të paguajnë kompanitë private.

“Treguesit e tregut të sigurimeve duhet të shoqërohen me objektiva konkrete për t’u përmirësuar dhe ndër to më shqetësuesi është ai që ka të bëjë me mbrojtjen e konsumatorëve, raporti dëme-prime i cili sot është i zhdrejtë”, thotë deputeti Shehu.

Vitin e kaluar sipas Autorititetit të Mbikqyrjes Financiare dëmet që u paguan nga kompanitë e sigurimeve ishin sa 31.7 për qind e primeve të arkëtuara. Por cili duhet të jetë objektivi që mund të propozojë Kuvendi?

“Objektivi është i diskutueshëm aq më tepër kur vendoset për herë të parë. Unë mendoj që ka referenca, aq më tepër kur janë standardet e institucioneve të ngjashme ndërkombëtare, dhe raporti në Shqipëri është jashtë standardit, ose diku në mes, sepse ka kufij minimalë dhe kufij maksimalë, ne jemi diku nga mesi. Kështu që objektivi duhet të jetë arritja e rezultateve të autoriteteve që funksionojnë me mirë”, thotë Shehu.

Ndonëse tregu i sigurimeve në Shqipëri rregullohet nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare, zoti Shehu thotë se ndërhyrja e Kuvendit nuk do e cënonte pavarësinë ë këtij institucioni.

“Të gjithë këto institucione të këtij lloji operojnë në emër të Kuvendit, në një farë mënyre kanë mandat të cilin ua ka dhënë Kuvendi dhe në një farë mënyrë, veprimi apo mosveprimi i tyre njëkohësisht do të thotë se si vepron ose nuk vepron Kuvendi”, përfundon zoti Shehu.

Deputeti demokrat mendon se vendosja e objektivave për treguesit financiarë do të kishte efekte pozitive jo vetëm për konsumatorët, por edhe në qëndrueshmërine e tregut.

Top Channel