PD: Rama-Meta po sulmojnë Presidentin

19/04/2014 00:00

Partia Demokratike akuzoi Kryeministrin Rama dhe kryetarin e Parlamentit Meta se po sulmojnë Presidentin Nishani, duke i hequr kompetencën e emërimit të kreut të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, për ta mbajtur këtë institucion nën kontrollin e tyre.

Deputeti Oerd Bylykbashi tha se mazhoranca po përgatit edhe heqjen e kompetencave të Nishanit si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.

“Mazhoranca po i heq një tjetër kompetencë Presidentit të Republikës duke i marrë atij të drejtën e propozimit të kandidaturave për kreun e ILDKP-së. Emërimi i kreut të ILDKP-së nga Kuvendi me propozim të Presidentit është një mekanizëm kontrolli dhe balance që garanton pavarësinë e ILDKP-së. Me heqjen e kësaj kompetence, dyshja Rama-Meta çbën përfundimisht pavarësinë e ILDKP. Ky sulm është në vazhdën e sulmeve ndaj Presidentit të Republikës dhe pavarësisë së institucioneve për të cilat Presidenti është garant. Mazhoranca po përgatit heqjen e kompetencave të Presidentit si Komandat i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, gjithashtu mazhoranca ka çbërë de facto kompetencën për propozimin e kandidaturave për në Gjykatën e Lartë duke i rrëzuar ato vetëm politikisht dhe pa asnjë arsye ligjore. Qëllimi i vetëm është kontrolli politik i Gjykatës së Lartë nëpërmjet detyrimit të Presidentit të dekretojë vetëm njerëzit e dyshes Rama-Meta që kjo gjykatë të mbyllë aferat e tyre”, deklaroi deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi.

Top Channel