Në rrugën e Jezu Krishtit

19/04/2014 00:00

Mijëra të krishterë, vendas dhe pelegrinë kremtuan “Të Premten e Madhe” duke përshkuar “Via Dolorosa” apo “Rrugën e Dhimbjes” në pjesën e vjetër të Jeruzalemit.

Besimtarët hap pas hapi ecën në të njëjtën rrugë, që besohet se ka shkelur Jezu Krishti, ndërsa mbante mbi shpinë kryqin, më shumë se 2000 vjet më parë. Ndalonin, luteshin në “Ndalesat e Kryqit”, pika të rëndësishme të “Rrugës së Dhimbjes”.

Çdo Pashkë, mijëra të krishterë nga e gjithe bota mbërrijnë në Jeruzalem. Atyre u bashkohet një komunitet i vogël palestinez për të kujtuar vdekjen dhe ringjalljen e Jezu Krishtit. Mesha e së premtes përfundoi në Kishën e Varrit të Shenjtë, ku ndodhen edhe pesë ndalesat e fundit të “Rrugës së Kryqit”.

Kisha e ndertuar nga Perandori Konstandin dhe rindërtuar nga ai bizantin Konstandin Monomakus, besohet se është vendi i kryqëzimit, varrimit dhe ringjalles së Jezu Krishtit. Ajo i ka mbijetuar zjarreve dhe tërmeteve. Për shkak të përplasjeve për pronësinë mes armenëve, grekëve, koptëve, katolikëve romanë, sirianëve, kisha hapet nga një mysliman që mban çelësin e saj. Këtë vit Pashka festohet në të njëjtën ditë nga të gjithë të krishterët.

Papa Francesk udhëhoqi “Udhën e Kryqit” në Vatikan, me lutje për të vobektit dhe për të braktisurit. Ceremonia solemne kujton kryqëzimin e Krishtit të Premten e Madhe. Dhjetëra mijëra njerëz ishin vendosur përgjatë rrugës pranë Koloseumit, thuajse 2000-vjeçar. Papa dëgjoi lutjen zyrtare të At Raniero Kantalamesas kundër lakmisë, etjes për para, padrejtësisë së trafikimit të qënieve njerëzore dhe vuajtjes së shkaktuar nga dëmi mjedisor. Më pas Ati i Shenjtë u kërkoi të pranishmeve “të kujtonin njerëzit e braktisur” dhe nënvizoi për “monstruozitetin e njeriut kur ai e lë veten të udhëhiqet nga Djalli”.

“Nuk do të jetë Djalli që do të ketë fjalën e fundit, por dashuria, mëshira, vullneti për të falur”, tha Papa Francesk.

Ceremonia përbehet nga 14 faza, të njohura si “Ndalesat në Kryq” gjatë cilave thuhen lutje. Papa Francesk do të udhëheqë Meshën e PragPashkës në Bazilikën e Shën Pjetrit. Shërbesat do të përmbyllen të dielën me meshën dedikuar Ringjalles. Ati i Shenjtë do t’u drejtohet të gjithë popujve të botës me mesazhin e tij “Urbi Et Orbi” (Qytetit dhe Botës).

Të enjten Papa u lau këmbët e 12 personave me aftësi të kufizuara në Rome, një simbolike e Darkës së Fundit. Ai theu traditën duke u larë këmbët disa grave dhe një burri mysliman në ceremoninë që tradicionalisht ka vetëm meshkuj.

Top Channel