Mazhoranca dhe opozita kanë vijuar edhe të premten akuzat e ndërsjella përsa i përket përshirjes së supozuar të infrastrukturës së ushtrisë shqiptare në trafik droge.

Në një komunikim të dytë me mediat, kryetari i PD, Lulzim Basha ka kërkuar sërsih sqarime nga kryeministri Rama dhe ministrja Kodheli, duke theksuar se hipotezat për përfshirjen e ushtrisë në trafikun e drogës u konfirmuan një ditë më parë në Parlament.

“Nga deklaratat e një deputeti të shumicës rezulton se qeveria, kryeministri Rama dhe ministrja Kodheli kanë informacion për këtë çështje, atëherë përse e fshehin atë? Përse nuk japin llogari para publikut dhe fshehin transparencën? Kjo ngre pyetje dhe dyshime. Çfarë kanë bërë Rama dhe Kodheli kur janë informuar se bazat ushtarake janë përdorur për trafikun e drogës?”, është shprehur Basha.

Ai ka theksuar se, kjo është një çështje me rëndësi kapitale që vë në provë shtetin shqiptar si anëtar i NATO-s dhe ka shprehur shqetësimin e thellë të opozitës.

“Ne jemi shumë të shqetësuar dhe përmes deputetëve tanë do kërkojmë sërish sqarime nga ministrja e Mbrojtjes, për të treguar se çfarë masash ka marrë. Edhe kryeministri Rama duhet të dalë para publikut dhe të sqarojë çështjen”, ka vijuar kreu i PD, për të shtuar se mbështet hetimin e organeve të drejtësisë.

Por vetëm pak më vonë ka ardhur reagimi i Partisë Socialiste, që përmes deputetes Olta Xhaçka i ka cilësuar akuzat e kreut të PD një diversion për të larguar vëmendjen nga abuzimet e qeverisë së kaluar në sektorin e mbrojtjes.

“Akuzat e PD ndaj ushtrisë janë për të mbrojtur ish-zyrtarët e korruptuar të Ministrisë së Mbrojtjes. Prokuroria i ka nisur hetimet. Opozitës, nëse i ka mbetur pak dinjitet, të mos bëhet gazi i botës”, ka deklaruar shkurt Xhaçka.

Top Channel