“Të shqyrtohen 100 vendime gjyqësore”

18/04/2014 00:00

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i ka dërguar sërish një letër Presidentit të Republikës, ku i kërkon shqyrtimin e më shumë se 100 vendimeve gjyqësore, të cilat kanë liruar nga akuzat persona me rrezikshmëri për rendin dhe sigurinë publike në vend.

Në letër Tahiri shkruan: “me respektin më të lartë për institucionin e Presidentit të Republikës, po Ju drejtohem përsëri për të ndarë me ju shqetësimin e vazhdueshëm mbi disa vendime të gjykatave, më së paku të diskutueshme, në mos fort absurde, të cilat nga njëra anë kanë efekt shkatërrues mbi pritshmërinë e qytetarëve për drejtësi, por nga ana tjetër betonojnë kulturën e pandëshkueshmërisë duke ricikluar kriminalitetin dhe paligjshmërinë”.

Tahiri shprehet se, vendimet e gjykatave nuk janë pronë private as e gjyqtarit të çështjes, as e palëve të përfshira dhe as e autoriteteve që qeverisin gjyqësorin, madje përkundrazi, diskutimi mbi vendimet e gjykatave përmbush dhe plotëson nevojën për respektimin e tyre dhe të gjyqësorit në tërësi”.

Ministri i Brendshëm letrës së tij i ka bashkangjitur 100 vendimet për të cilat mendon se Këshilli i Lartë i Drejtësisë duhet t’i shqyrtojë më hollësisht.

Në raportin voluminoz, Ministri i Brendshëm ka paraqitur 22 vendime ku të arrestuar nga policia nën akuzën e armëmbajtjes pa leje, gjykatat kanë vlerësuar me masën e arrestit në shtëpi, pavarësisht veprës penale që konsiderohet e rrezikshme.

Në raport përfshihet edhe lirimi i shtetasit Arben Gropa i dënuar me 32 vjet burg nga gjykatat italiane. Masa e arrestit në shtëpi është dhënë edhe për akuzën e goditjes për shkak të detyrës, ku në shumë raste ka qenë dhunë ndaj policisë.

Në disa raste që Minstri i Brendshëm i quan skandaloze është dhënë edhe detyrim paraqitje. Lirim ka patur edhe për veprat penale të plagosjes me armë,vrasje nga pakujdesia, përndjekje, shkatërrim prone me zjarr, shpërdorim detyre, vjedhje në bashkëpunim, plagosjen me dashje, tentative vrasjeje, falsifikim dokumentash, marrëdhënie me të mitura, aksident me pasoja, drejtim mjeti pa patente e të tjera.

Në fund Ministri i Brendshëm i shprehet Presidentit se ka besim në institucionin që ai drejton dhe se do të bëjë personalisht gjithcka për të vënë në lëvizje KLD-në që të shqyrtojë më konkretisht zbatimin e ligjit dhe standardet e dhënies së drejtësisë për qytetarët.

Top Channel