Gul kundër rrokadës me Erdogan

18/04/2014 00:00

Presidenti turk Abdullah Gul rrëzoi zërat për një rrokadë pushteti mes tij dhe Kryeministrit Erdogan, njëjtë si skenari rus Putin-Medvedev.

Edhe pse nuk e ka pranuar zyrtarisht, Erdogan shihet si kandidat i Partisë Drejtësi dhe Zhvillim, AKP në zgjedhjet presidenciale, të parat ku kreu i shtetit do të zgjidhet drejtpërdrejtë nga vota e popullit, në bazë të ndryshimeve të fundit kushtetuese.

I pyetur nga gazetarët Gul, aleat i Erdogan në AKP, tha se një rrokadë e tillë nuk i shërben demokracisë në vend, megjithëse shtoi se ende nuk ka vendosur nëse do t’i vihet përballë Erdoganit duke kandiduar për president.

“Nuk kam asnjë plan politik nën kushtet aktuale”, tha ai. Nisur nga refuzimi i tërthortë i tij, mediat dhe opinioni publik turk, por jo vetëm, ngrë pyetjen se kush do të pasojë Erdogan në postin e kryeministrit, kur mandati i tij i fundit t’i përfundojë?

Abudllah Gul shihej si një figurë e fortë dhe ekuilibruese shpesh përballë politikave ndonjëherë impulsive të kryeministrit Erdogan. AKP ka fituar bindshëm në gjashtë zgjedhjet e fundit, parlamentare dhe lokale duke patur mbështetjen e klasës punëtore dhe të islamikëve të moderuar.

Top Channel